Aktualitet

Rama zgjedh qytetin ku do të jetë deputet, por pse nuk është surprizë

Rama zgjedh qytetin ku do të jetë deputet, por pse nuk është

Kryeministri Edi Rama do të ketë mandatin e deputetit në qarkun e Durrësit, duke lënë atë të Vlorës. Ai i ka kthyer përgjigje KQZ-së duke treguar zgjedhjen e tij.

Rama në fakt e kishte paralajmëruar se do të zgjidhte Durrësin nëse do merrte votat pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Ai tha se Durrësi është zgjedhur nga qeveria edhe si kryeqendra për të vënë në zbatim disa projekteve madhore si ndërtimi i portit të ri, por edhe për shkak të procesit të rindërtimit pas tërmetit.

Ndërsa gjatë fushatës ai krijoi disi konfuzion kur tha gjithashtu se do të zgjidhte qytetin ku do marrë më shumë vota. Në fakt, kryeministri mori më shumë vota preferenciale në Durrës, sesa në Vlorë. Kjo lë të nënkuptojë se kryeministri ndjen më shumë përgjegjësi nga besimi i durrsakëve për projektet që ka për qytetin bregdetar dhe përfitimet që do sjellin.

Këtë e konfirmon vetë kryeministri me një status nga Twitteri, ku tregon zgjedhjen dhe arsyen:

'Vlora ishte, është dhe do jetë deri në fund në zemrën time, kështu që me mandat pa mandat, unë nga Vlora nuk ndahem as sot as mot, ndërkohë në mendjen time Durrësi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet po për krejt #Shqipërinë2030'

Kryeministri në numër votash preferenciale ka arritur të marrë më shumë vota në total në Qarkun e Durrësit pasi emrin e tij e kanë përzgjedhur plot 15 047 votues, ndërsa në Qarkun Vlorë arriti të merrte 11 412 vota.

Me mandatin e tij në Durrës, Rama do të lërë jashtë kandidaten Ana Dhamo.

Ndërsa në Vlorë i ka liruar vendin vajzës çame Teuta Ramaj, e cila ishte e 9-ta në listë.

Rama zgjedh qytetin ku do të jetë deputet, por pse nuk është

*Tiranapost.al.