Aktualitet

Raporti i FMN-së: Shqipëria dha ndihmën më të ulët për qytetarët dhe bizneset për pandeminë. Kujdes borxhin publik

Raporti i FMN-së: Shqipëria dha ndihmën më të ulët

Gjatë pandemisë, Shqipëria pati ndihmën më të ulët për qytetarët dhe për bizneset. Në këtë përfundim ka dalë Fondi Monetar Ndërkombëtar sipas raportit të publikuar sot të post monitorimit për Shqipërinë, të parë nën ndikimin e tërmetit të një viti më parë dhe të pandemisë. Sipas FMN-së paketa ekonomike ishte më e vogël se mesatarja e Ballkanit dhe se kredia për sektorin privat vazhdoi të rritet.

“Pandemia COVID-19, e kombinuar me tërmetin e fortë që goditi Shqipërinë në nëntor 2019, ka rezultuar në presione shtesë të shpenzimeve dhe një tkurrje të madhe ekonomike, të cilat janë pritet të përmbysin trendin në rënie të borxhit në vitet e fundit dhe të rrisë borxhin publik të Shqipërisë në rreth 82 përqind të PBB-së në 2020. Një pandemi më e rëndë do të përkeqësonte parashikimin ekonomik të Shqipërisë përmes një turizmi më të dobët, remitancave, kërkesës së jashtme, investimeve të Huaja Direkte si dhe do të sillte kushte më të shtrënguara financimi”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

FMN i ka bërë thirrje qeverisë që të tregohet më e kujdesshme me menaxhimin e financave:

“Ka pasiguri të konsiderueshme dhe rreziqe të shtuara që mund të ndikojnë në rimëkëmbjen e parashikuar për 2021-22. Në këtë kontekst, Drejtorët theksuan rëndësinë e planifikimit të fondeve rezervë për ngjarje të paparashikuara dhe rekomanduan që autoritetet të jenë të gatshme të marrin masa të mëtejshme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar”.

Rreziqet kryesore dhe që janë rritur janë borxhi, pandemia, dobësitë në menaxhimin e financave, euroizimi (përdorimi në masë i euros) dhe kreditë me probleme. Borxhi i lartë publik në skenarin më të keq do jetë 81.9 % , ndërsa në atë pozitiv 75.6 %. Ekonomia në 2021 do rimëkëmbet me 5.4% në skenarin e keq dhe në atë pozitiv 8%. Rreziqet e shtuara dhe pasiguritë rrethojnë edhe rimëkëmbjen ekonomike në 2021 dhe 2022. Ekspertët e FMN kërkuan masa për menaxhimin e financave, për kontrollin e fondeve të rindërtimit, të rrisin mbledhshmërinë e të ardhurave, të ulin deficitin. Duhet një strategji për menaxhimin e financave për të rritur kapitalin fizik si dhe ndryshimet e shpeshta fiskale në politikën tatimore duhet të shmangen.

Ekspertët kanë kërkuar monitorim të PPP dhe garancive të fundit të qeverisë. Kërkesa tjetër është të shikohet me kujdes edhe ristrukturimi i kredive, dhe të mbetet i kufizuar shpërndarja e dividentit për të mbrojtur bankat.