Aktualitet

Raportuesit e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut i bëjnë thirrje BE për hapjen e kuadrit negociues me dy vendet

Raportuesit e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe

Raportuesit e përherëshëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në BE, Isabel Santos dhe Ilhan Kyuchyuk kanë kërkuar nga Brukseli miratimin sa më të shpejtë të kuadrit të negociimit me dy vendet që më pas do i hapë rrugë anëtarësimit të tyre në Union.

“Ne u bëjmë thirrje Shteteve Anëtare që të miratojnë tekstet e kornizave pa vonesë, duke lejuar që të mblidhen konferencat e para ndërqeveritare me secilin vend deri në fund të këtij viti. Është thelbësore që kornizat të funksionalizojnë metodologjinë e zgjerimit, duke rritur besueshmërinë, parashikueshmërinë dhe mbikëqyrjen politike, ndërsa sigurojnë që bisedimet të përparojnë në varësi të meritave të vetë vendeve. Kriteret e Kopenhagenit dhe angazhimi për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë mbeten në qendër të procesit të zgjerimit,”- shkruhet në deklaratën e raportuesve.

Kjo është hera e disatë që raportuesit në Parlamentin Europian rekomandojnë hapjen e bisedimeve me BE-në për Tiranën dhe Shkupin, një indikator ky se dy shtetet kanë përmbushur kushtet formale, por mungon vullneti politik nga ana e bllokut për vazhdimin e procesit të integrimit.

Tiranapost.al