Rasti ‘Tire’ tek Shefqet Ndroqi: Prokuroria kontrollon telefonin e sanitares dhe merr në pyetje mjekët e spitalit

Prokuroria e Tiranës ka nisur të marrë në pyetje mjekë dhe infermieë të spitalit Shefqet Ndroqi. Hetimi lidhet me skandalin me sanitaren Tire Alldervishi, e cila u arrestua pas denoncimit të vajzës së një pacienteje të shtruar me Covid prej 25 ditësh, që fatkeqësisht humbi jetën.
Sanitarja Tire Alldervishi, 58 vjeçe akuzohet se mashtroi vajzën e pacientes duke u hequr si infermiere dhe kundrejt parave që i jepte vajza i premtonte se do i rrinte tek koka dhe se paratë do ua shpërndante dhe mjekëve që kishin nën kujdes pacienten, edhe pse nuk ka prova për përfshirjen e mjekëve.
Vajza e pacientes së ndjerë përmes bisedave në WhatsApp që u publikuan në emisionin investigative Stop, tha se kishte dhënë 8 milionë lekë.
Grupi hetimor ka hapur dhe telefonin e 58-vjeçares për të parë nëse kishte komunikim me punonjës të tjerë të spitalit dhe nëse ka pasur raste të tjera të ryshfetit.
Mësohet se janë sekuestruar dhe kamerat e lokalit ku dyshohet se vajza e pacientes i ka dhënë paratë sanitares, gjë që nëse provohet, mund të çojnë në dënim më të rëndë të sanitares.
Ndërkaq, në seancën e parë të gjyqit, ajo mori arrestin me burg, ndërsa dy avokatet e sanitares kanë kërkuar masë lehtësimi me pretendimin se sanitarja kishte kaluar Covid-in dhe nuk ishte në gjendje të mirë psikologjike.
*Tiranapost.al.