Aktualitet

Reagon Imzot George Frendo: Vandalizmi i protestave absurd, dhuna lind dhunë

Reagon Imzot George Frendo: Vandalizmi i protestave absurd, dhuna lind

Imzot George Frendo, ndërsa pritet të rikthehet nesër në Tiranë, pas 33 ditësh betejë me Covid në një spital në Itali, shprehet lidhur me ngjarjet e fundit në vendin tonë. Ai del në mbështetje të protestuesve, ndërsa shpreh ngushëllimet familjes së 25-vjeçarit të vrarë Klodian Rasha dhe kërkon nga policët ta ushtrojnë me përgjegjshmëri detyrën e tyre.

Nga ana tjetër, Imzot Frendo u drejtohet protestuesve që të vazhdojnë të protestojnë, por duke shmangur vandalizmi dhe dhuna.

Mesazhi i plotë:

Gjatë qëndrimit tim për rikuperim nga Covid 19 në Itali kam ndjekur lajmet për ngjarjet në Shqipëri pas vrasjes së një djali 25 vjeç nga një polic. Dua të shpreh mbështetjen dhe ngushëllimin tim me familjen e Klodjan Rashes, për këtë humbje të madhe. Policët zbatojnë një punë shumë të dobishme në shoqëri, që duhet ta vlerësojmë. Por i lutemi ta ushtrojnë me shumë përgjegjësi dhe respekt për çdo qytetar.

Por duke u përgatitur për kremtimin e lindjes së Princit të Paqes, Jezu Krishti, e ndiej detyrë të bëj edhe këtë vërejtje. Si vend demokratik, populli ka të drejtë të protestojë. Por duke shmangur çdo lloj vandalizmi dhe dhune. Vandalizmi është absurd, sepse kush paguan për pronësinë publike të dëmtuar? A nuk jemi ne, me taksat tona? Si tha David Cameron, ish kryeministri i Mbretërisë së Madhe (Angli): “Paraja publike nuk ekziston. Ekziston vetëm paraja e taksapaguesve” (“There is no such thing as public money. There is only taxpayers’ money”). Përveç kësaj, vandalizmi nuk përputhet me dashurinë për Atdheun.

Ndërsa dhuna është gjithmonë një fyerje kundër dinjitetit njerëzor. Pikërisht sot Jezusi na mëson e na fton të shohim këtë dinjitet në fytyren e çdo njeriu. Dhe mos të harrojmë se dhuna lind dhunë. Vetë Jezusi tha: “… të gjithë ata që kapen për shpatë, prej shpatës edhe do të vdesin.” (shih Mateu 26, 52).

Mons. George Frendo O.P.

Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë – Durrës