Aktualitet

Rekord i ri të infektuarish sot, por si paraqitet situata në spitalet Covid dhe skenari nëse shifrat rriten

Rekord i ri të infektuarish sot, por si paraqitet situata në spitalet

Situata me të infektuarit në vend paraqitet serioze. Sot u shënua një tjetër rekord të infektuarish, me 301 raste të reja. Ndërsa numri i viktimave sot është 4.

A rrezikojmë një tjetër mbyllje me këtë ritëm? Ministria e Shëndetësisë ka treguar se në çdo rast të përkeqësimit të situatës, janë në dispozicion dy spitale të tjera Covid, po ashtu do të organizohen dhe spitalet rajonale për të përballuar fluksin.

Por sa të shtruar aktualisht kemi në dy spitalet Covid në vend?

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 255 pacientë. Në terapi intensive janë 22  pacientë, nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.

NATO dhuroi sot 60 respiratorë për pacientët shqiptarë që kanë nevojë për oksigjen. 

Në një intervistë të së martës, me 13 tetor, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u pyet për skenarin më të keq të koronavirusit në Shqipëri. Ajo tha se nëse ndodh, do të futen spitalet rajonale dhe do të jenë në dispozicion 1600 shtretër për pacientët.

‘Ne kemi një strategji të përgjigjes vjeshtë dimër. Është skenari i tretë, ku futet përfshirja e spitaleve rajonale. Nëse mbyllet kapaciteti në 4 strukturat e dedikuara, atëherë kemi skenarin ku futen spitalet rajonale, me tre faza, në të parin 5 spitale rajonale, dhe 5 në dy të tjerët. Në total kjo do të thotë se kemi kapacitet me 1600 shtretër. Për qytetarë që mund të kenë nevojë për trajtim dhe kujdes spitalor.’