Aktualitet

Ekonomiku pa diploma/ Rektori i UT replikë më ministren Shahini: Reagimi juaj aspak profesional dhe në shkelje me ligjin

Ekonomiku pa diploma/ Rektori i UT replikë më ministren Shahini:

Mosmarrja e diplomave të disa prej studentëve të Ekonomikut, bëri që Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, t’i përgjigjes ministres së Arsimit, Besa Shahini, lidhur me situatën e krijuar. Bëhet fjalë për diplomat që duhet t’u ishin dorëzuar studentëve të Fakultetit të Ekonomisë, të viteve akademike 2017-2018, 2018-2019.

Teksa e ka quajtur qëndrimin e ministres Shahini “aspak profesional, të njëanshëm dhe krejtësisht në shkelje të ligjit të arsimit të lartë” për këtë çështje, Koni thekson se do t’i firmosë diplomat sapo dekani i këtij Fakulteti, Dhori Kule të dërgojë listën përfundimtare të studentëve. Në këtë mënyrë ai la të kuptohet se ngërçi i krijuar ishte ky shkak.

“Studentët e prekur nga gjithë kjo, dua t’i siguroj edhe një herë, sikurse jam përpjekur për ta bërë këtë gjë në të gjitha komunikimet e mia zyrtare me ta, apo edhe nëpërmjet strukturave përkatëse në Rektoratin e UT, se të gjitha përpjekjet e mia, kanë qëllim vetëm zbatimin e ligjit dhe për të mos cenuar ligjshmërinë dhe vlerën e diplomës së tyre universitare”, shkruan Koni në Facebook.

Statusi i plotë:

Në lidhje me problematikën e krijuar për firmosjen e diplomave, për një numër studentësh të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, tashmë të bërë publike edhe nga media, të cilat, në disa raste kanë keqinterpretuar publikun në lidhje me këtë çështje, në vijim të komunikimit zyrtar, të përsëritur prej disa muajsh, si me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ashtu edhe me Drejtorin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), më në fund, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka kthyer një përgjigje (edhe me këtë shkresë, jeni njohur nga media), dhe ka shprehur qëndrimin e saj, aspak profesional, të njëanshëm dhe krejtësisht në shkelje të ligjit të arsimit të lartë 80/2015 dhe të udhëzimit përkatës të nxjerrë nga ministri përgjegjës për arsimin, në lidhje me këtë çështje.

Sikurse i kam bërë të qartë Ministrit përgjegjës për arsimin, së fundmi, edhe në shkresën nr.1839/2 datë 29.06.2020 (kliko këtu https://unitir.edu.al/…/Shkrese-MASR-KM-29.06.2020-diplomat…), qëndrimi im ndaj këtij problemi kaq të rëndësishëm, mbetet i njëjtë.

Për sa kohë që nga ana e drejtuesit të njësisë kryesore të Fakultetit të Ekonomisë të UT, z.Kule, nuk janë përcjellë listat përfundimtare të studentëve të regjistruar, me të dhënat e tyre për matrikullim (detyrim ligjor ky, siç kanë vepruar të gjithë dekanët e tjerë të fakulteteve të Universitetit të Tiranës, në gjithë këto vite), për vitin akademik 2017-2018, 2018-2019, e bën të pamundur lëshimin e këtyre diplomave nga Universiteti i Tiranës.

Në këto kushte, këto kartona (jo diploma), nuk mund të nënshkruhen nga Rektori i Universitetit të Tiranës.

Në momentin kur në Rektoratin e UT, do të përcillet nga dekani i Fakultetit të Ekonomisë i UT, lista përfundimtare e studentëve të regjistruar, me të dhënat e tyre për matrikullim (për vitin akademik 2017-2018), Rektori do të veprojë në mënyrë të menjëhershme, me nënshkrimin e tyre.

Kjo është e vetmja mënyrë institucionale, e rregullt dhe ligjore, në zbatim të ligjit të arsimit të lartë 80/2015 dhe Udhëzimit përkatës, të nxjerrë nga vetë Ministri përgjegjës për arsimin, të cilën ja kam bërë me dije dhe ja kam kërkuar prej disa muajsh edhe Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Studentët e prekur nga gjithë kjo, dua t’i siguroj edhe një herë, sikurse jam përpjekur për ta bërë këtë gjë në të gjitha komunikimet e mia zyrtare me ta, apo edhe nëpërmjet strukturave përkatëse në Rektoratin e UT, se të gjitha përpjekjet e mia, kanë qëllim vetëm zbatimin e ligjit dhe për të mos cënuar ligjshmërinë dhe vlerën e diplomës së tyre universitare.

Nga ana tjetër, do t’i kërkoja të mos bien pre, as e provokimeve dhe as e keqinterpretimeve të askujt, që përpiqet për ta bërë këtë gjë, sepse, të jeni të sigurtë që shumë shpejt, ligjshmëria dhe e drejta do të triumfojnë.