Aktualitet

Rezultatet e analizave në privat dalin ndryshe nga të QSUT-së! ISHP i përgjigjet akuzës së PD-së

Rezultatet e analizave në privat dalin ndryshe nga të QSUT-së!

Pas denoncimeve nga PD se testet për të konfirmuar nëse një pacient është apo jo me Covid nuk japin gjithmonë rezultatin e vërtetë, Instituti i Shëndetit Publik përgjigjet lidhur me cilësinë e testeve. Në një deklaratë për mediat, ISHP shprehet se të dyja testet, edhe testi i PCR (analiza nëse dikush është infektuar) dhe analizat serologjike (nëse është kaluar apo jo Covid) janë të certifikuara.

Deklarata vjen pas denoncimit të ish-deputetit të PD-së, Bardh Spahia, i cili ngre dyshime mbi cilësinë e tamponëve e të testeve për të identifikuar praninë e Covid-19 aktual ose të kaluar. Ndërsa i referohet denoncimit të një qytetari, Spahia thotë se ka rezultuar dy herë negativ në tamponë, ndërkohë që babanë e kishte me Covid-19. Sipas Spahisë, pas një muaji qytetari i është drejtuar laboratorit privat për analizë serologjike, që tregoi se ka prani të antitrupave Sars-Cov2.

Postimi i plotë:

Në vijim të deklaratave të bëra nga një ish deputet i Partisë Demokratike, dhe të ndara më pas në faqen e kësaj partie, Instituti i Shëndetit Publik siguron qytetarët shqiptarë, se laboratorët tanë të kryerjes së analizave PCR, janë të standarteve më të larta të cilësisë dhe sigurisë. Cilësia e punës së specialistëve të ISHP dhe testeve të përdorura në rastin e COVID-19, JANË TË ÇERTIFIKUARA!

Kitet dhe reagentët e përdorura nga ISHP janë të standarteve ndërkombëtare, prodhuar nga kompani lider në sistemet dhe reagentet bioteknologjike, të ekstraktimit dhe amplifikimit të acideve nukleike. Me këto kompani punojnë të gjitha vendet e BE-së. Epidemiologët tanë të terrenit dhe ekspertët e shëndetit publik, si dhe ata të laboratorit të ISHP, kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë një punë të palodhur dhe shembullore, që nga dita e parë e pandemisë.

ISHP e konsideron krahasimin absurd mes analizës PCR dhe testeve serologjike, një përpjekje dashakeqe për të bërë politikë me pandeminë. Padituria në dallimin mes testit PCR, dhe analizave serologjike – të cilat nuk bëjnë diagnostikim dhe saktësia e të cilave ende po vlerësohet kudo në botë – nuk duhet të shërbejë për të çoroditur qytetarët. ISHP hedh poshte çdo aludim mbi punën e kualifikuar të institucionit, dhe u kujton qytetarëve se Laboratori ynë i Virologjisë është pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar, që siguron edhe kontrollin e cilësisë së tij.

Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje qytetarëve që t’u referohen vetëm burimeve zyrtare të informacionit, kur duan të informohen në lidhje me ecurinë e pandemisë në vendin tonë", njofton ISHP.

Ka qenë ish- deputeti i PD-së, Bardh Spahia nga selia blu që ka pretenduar se rezultatet e testeve serologjike të kryera në spitalin privat dalin ndryshe nga ato në QSUT, duke hedhur dyshime se Ministria e Shëndetësisë po përdor mjetet të skaduara.

Lexo më shumë: