Aktualitet

Rezultati i 25 prillit do vonojë më shumë se zgjedhjet e kaluara

Rezultati i 25 prillit do vonojë më shumë se zgjedhjet e kaluara

Për të nxjerrë rezultatin e plotë pas zgjedhjeve të 25 Prillit do të duhet më shumë kohë se në zgjedhjet e kaluara. Kjo pasi përveç votave për partitë, do të numërohen edhe ato për kandidatët që do të shpallen deputetë të qarqeve ku kanë marrë më shumë vota. Gjithashtu do të bëhet numërimi i votave për kandidatët që janë të caktuar me numër, e duhet të mblidhen sipas emrave.

Në intervistë, anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, Dritan Caka thotë se procesi do të jetë më i gjatë se zakonisht, por për të më shumë rëndësi ka që të respektohet vullneti i çdo qytetari përmes votës së lirë.

"Procesi i numërimit të votave do të jetë më i gjatë se zakonisht, por nuk ka rëndësi shpejtësia por rezultati, që çdo votë të numërohet siç qytetari ka shprehur vullnetin e tij".

Lidhur me kompaninë e printimit të fletëve të votimit, ai tha se pritet të mbërrijnë deri në datën 22 Prill.

"Duke pasur në konsideratë dhe komunikimet me kompaninë sllovene dhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor me numra, brenda datës 22 prill të jenë fletët e votimit. Nëse do kishte një vendimmarrje tjetër të Kolegjit, kjo mund ta vështirësonte procesin, dhe mund të kërkonte më shumë kohë. Nga komunikimet e fundit që KQZ ka pasur me kompaninë është garantuar që fletët e votimit do të jenë të gatshme për 25 prillin".

Për pyetjet e qytetarëve se mund të ngatërrojnë numrin me deputetin, ose në rastet kur nuk e mbajnë mend, Caka tha se në dhomën e fshehtë do të ketë fletëpalosje me emrat e kandidatëve dhe numrat që përkojnë me to, për të zgjedhur më pas me X në fletën e votimit.

"Mund të jetë pak më e vështirë identifikimi i numrit dhe kandidatit që i korrespondon. Do të afishohen për çdo parti listat përkatëse me numrin dhe emrin korrespondues, e njëjta gjë do të ndodh edhe në dhomën e fshehtë".

*Tiranapost.al.