Rikthehet dëbora. Këto janë zonat ku duhet kujdes i shtuar në qarkullim

Temperaturat e ulëta të këtyre ditëve kanë rikthyer reshjet e dëborës në veri dhe juglindje të vendit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën thirrje për kujdes të shtuar në aksin Fushë Arrëz-Kukës. Mjetet borëpastruese kanë punuar për pastrimin e aksit dhe qarkullimi ka vijuar normalisht.
Kurse në Korçë trashësia e dëborës ka arritur nga 2-5 cm në zonat fushore dhe 10-17 cm në zonat malore. Zona e Dardhës dhe Qafa e Qarrit kanë pasur intensitetin më të lartë të reshjeve.
Firmat kontraktore janë në terren duke punuar për mirëmbajtjen e rrugës. Nuk ka pasur bllokim deri tani, por bëhet thirrje për një kujdes të shtuar të drejtuesve të automjeteve edhe në këto zona.
I bllokuar është aktualisht qarkullimi në Qafën e Llogarasë. Policia ndodhet në terren për normalizimin e situatës.