Aktualitet

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme deri në 31 dhjetor: Si përfitojnë qytetarët dhe bizneset?

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme deri në 31 dhjetor: Si

Qytetarët dhe biznesi, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që deri në datën 31 dhjetor 2020 të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Qeveria i ka propozuar Kuvendit shtyrjen e afatit për rivlerësimin e pronave private deri më 31 dhjetor. Ky propozim ka për qëllim që tu japë më shumë kohë qytetarëve me pronësi që të vlerësojnë pronën e tyre, duke e lidhur situatën me mbylljen e zyrave nga marsi në maj për shkak të pandemisë.

Ligji që hyri në fuqi me datë 17 janar, kishte afat 30 shtatorin 2020, që u i jep të drejtë qytetarëve të përafrojnë vlerën e pronës së tyre me çmimin e tregut, dhe në rast shitje ose dhurimi të paguajnë vetëm 3 përqind nga 15 perqind të tatim-fitimit.

Nga 17 janari deri në muajin mars janë bërë më shumë se 15 mijë aplikime. Ndërsa 18 mars – 22 maj numri i aplikimeve është 4 835.

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi sot nga Kuvendi u shpreh në mbështetje të projektligjit për shtyrjen e afatit deri në fund të këtij viti dhe ftoi qytetarët të përfitojnë nga ky afat i ri.

‘Situata e pandemisë uli ndjeshëm numrin e aplikimeve në këtë proces. Rreth 68% më pak është numri i aplikimeve në krahasim me pritshmëritë tona të parashikuar në fund të vitit të kaluar. Ndaj propozohet shtyrja e këtij afati me tre muaj, duke i dhënë mundësi të gjithë qytetarëve të interesuar të realizojnë këtë process. Përfitime do kenë individët dhe bizneset: edhe për buxhetin e shtetit, sepse të ardhurat që garantohen nga procesi i rivlerësimit të pasurive, janë më të mëdha sese reduktimi i të ardhurave që vijnë nga ulja e barrës tatimore, që në këtë rast është nga 15% që parashikohet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, në 3% siç e parashikon pr/ligji që miratojmë sot'.