Aktualitet

Rrebeshe shiu nga 22-26 janar, Mbrojtja Civile paralajmëron bashkitë: Kujdes, në gatishmëri qarqet më problematike

Rrebeshe shiu nga 22-26 janar, Mbrojtja Civile paralajmëron bashkitë:

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak dhe Meteoalb parashikojnë reshje intensive shiu prej datës 22 janar deri në datën 26 janar kryesisht në gjithë territorin e vendit. Kjo ka bërë që Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes të paralajmërojë bashkitë dhe prefekturat që të marrin masat, që të mos rrezikohet në përmbytje.

Sipas të dhënave, intensiteti i reshjeve pritet të shkojë deri në 230mm/24 orë veçanërisht në Qarqet Veriore, si Shkodër, Kukës, Dibër, por pa përjashtuar dhe qarqet e tjera. Reshjet e dendura të shiut rrezikojnë të rrisin nivelin e lumenjve si Drini, Mati, Shkumbini, Vjosa, Semani, në veçanti të baseneve të Drinit, që rrezikojnë të shkaktojnë përmbytje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kërkon nga pushteti vendor intensifikimin e punës për vënien në gatishmëri të strukturave operacionale vendore dhe qendrore me qëllim ruajtjen e jetës dhe pronës së popullatës, gjësë së gjallë, objekteve të rëndësisë së veçantë, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore. 

Gjithashtu AKMC bën thirrje që të merren masat nga strukturat përgjegjëse për planifikimin dhe parapërgatitjen duke parashikuar në rast se do të shihet e nevojshme, evakuimin dhe akomodimin e banorëve në zonat e prekura si dhe sigurimin e gjësë së gjallë.

*Tiranapost.al.