Aktualitet

Rritja e rasteve me Covid, Manastirliu: 100 mjekë të specializuar do i shtohen sistemit shëndetësor këtë muaj

Rritja e rasteve me Covid, Manastirliu: 100 mjekë të specializuar do i

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nga QSUT-ja ka folur për rritjen e rasteve me COVID gjatë ditëve të fundit. Manastirliu u shpreh se qytetarëve u është dhënë shërbimi shëndetësor në kohë dhe lajmëroi se 100 mjekë të specializuar do i shtohen sistemit shëndetësor këtë muaj.

“Lajmi i mirë është se janë më shumë se 100 mjekë që kanë përfunduar këtë vit ciklin e specializimeve, që do të atashohen pranë spitaleve tona të rretheve. Por janë edhe ata të cilët përfundojnë ciklin e specializimit, që tashmë janë të atashuar dhe po atashohen në spitalet e Tiranës, por edhe që kanë preferuar të qëndrojnë në spitalet ku ata kanë shërbyer në këtë 3-vjeçar”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se qeveria është e angazhuar për mbështetjen e mëtejshme të mjekëve, kur tha se rritja e pagave nis nga ky muaj.

“Ne si qeveri jemi të angazhuar në mbështetjen e mëtejshme të mjekëve dhe të infermierëve tanë. Pagat rriten duke filluar nga korriku, pra efekti i pagave me rritjen 6% do të fillojë si efekt me rrogën e parë që vjen në gusht. Sigurisht do të vijojë rritja e pagave në çdo vit, ashtu sikurse ne e kemi premtuar”, tha Manastirliu.