Aktualitet

Rruga Thumanë-Kashar nga sot me pagesë

Rruga Thumanë-Kashar nga sot me pagesë

Nga 4 janari të gjithë ata që do të kalojnë në aksin Thumanë-Kashar do të duhet të paguajnë.

6 muaj nga hapja e këtij aksi, kompania koncensionare ka nisur aplikimin e tarifave që nisin nga 2,5 euro por që diferencohen sipas kategorisë së automjeteve.


Në pikat e pagesës, konvertimi nga euro në lek do të bëhet në bazë të kursit të Bankës së Shqipërisë, në këtë mënyrë, një makinë e vogël do të paguaj 250 lek për kalimin në autostradën Thumanë- Kashar.

Makinat me 2-3 akse dhe lartësi mbi 2.2 metra do të paguajnë 620 lekë dhe mjetet me 4 ose më shumë akse do të paguajnë 870 lekë.

Ndërkohë tarifa që do të paguhet nga çdo automjet që përshkon Rinas – Kashar dhe anasjelltas varion nga 80 lekë për makinat e vogla në 270 lekë për automjetet e tonazhit të rëndë. Ndërsa për aksin Rinas – Thumanë dhe anasjelltas varion nga 120 lekë për triçikël në 600 lekë për automjetet e tonazhit të rëndë.

Tarifë do të rishikohen çdo vit sipas të luhatjeve të kursit të këmbimit.

Rruga Thumanë-Kashar është pjesë e korridorit Adritiko-Jonian dhe u hap për qarkullim në 30 qershor 2024. Segmenti ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe është autostrada e parë e Kategorisë A. që nënkupton jo vetëm standarte europiane të ndërtimit të rrugës, por edhe një limit shpejtësie tjetër nga ai që kanë akset e tjera rrugore të vendit.