Aktualitet

Sa i ndotur është ajri i Shqipërisë? Korça me nivele shqetësuese, Tirana kryeqyteti më i pastër në Ballkan

Sa i ndotur është ajri i Shqipërisë? Korça me nivele

Një sërë studimesh thonë se, ndotja e ajrit luan rol vendimtar në përhapjen e pandemisë së shkaktuar nga virusi Sars-cov-2. Në një raport të publikuar së fundmi për ndikimin e covid-19 në ndotjen e ajrit në Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore nënvizon pikërisht këtë, duke theksuar se me ardhjen e dimrit dhe me shtimin e ndotjes gjatë sezonit më të ftohtë të vitit mund të shohim edhe shpërthime të pandemisë në Ballkanin Perëndimor.

Situata mund të përkeqësohet nga fakti se, thellimi i varfërisë në familjet më të varfëra do të nxisë ata që të zëvendësojnë karburantet me cilësi të lartë me lëndë djegëse të lira, ç`ka do të përkeqësonte ndjeshëm nivelin e ndotjes së ajrit.

“Vendet me nivele të larta të ndotjes së ajrit duhet të zbatojnë rregullore dhe të marrin masa që përmirësojnë cilësinë e ajrit për të zvogëluar ekspozimin e njerëzve në dimrin e ardhshëm”-thotë Banka Botërore në raport.

Por si është Shqipëria krahasuar me vendet e tjera të rajonit sa i përket ndotjes së ajrit?

Tirana rezulton të jetë qyteti me ndotjen më të ulët të ajrit në rajon, krahasuar me kryeqytetet e tjera, si Shkupi, Podgorica, Sarajeva apo Beogradi, ndërkohë që Prishtina nuk merret në analizë. Ndotja e ajrit në rastin konkret matet nga niveli i grimcave PM2.5, që janë kryesisht produkt i fabrikave, ndotjes nga makinat apo djegies së drurit.

Por, pavarësisht se ka pozitat më të mira në rajon, Tirana ka një normë të këtyre grimcave ndjeshëm më të lartë se vlera e rekomanduar nga OBSH, poshtë nivelit kufi të Bashkimit Europian. Por, Tirana rezulton të ketë një ndotje të ajrit më të lartë se thuajse të gjitha kryeqytetet e Europës Perëndimorë, si Roma, Madridi, Berlini, Parisi, Amsterdami, Athina etj, etj.

Ndër qytetet shqiptare, Korça figuron të jetë më i ndoturi, madje edhe mbi kufirin e lejuar të Bashkimit Europian të grimcave PM2.5. Kjo arsyetohet me faktin se, temperaturat relativisht të ftohta gjatë muajve të dimrit nxisin përdorimin e qymyrit dhe drurit për ngrohje, gjë që shkakton një ndotje ndjeshëm më të lartë.

Artikulli i referuar: SCAN