Aktualitet

Sa paguajnë shqiptarët që kurohen në Turqi dhe kriteret që duhet të plotësojë pacienti para se të transportohet

Sa paguajnë shqiptarët që kurohen në Turqi dhe kriteret

Shqiptarët e infektuar me Covid që patën mundësi ekonomike, apo i gjetën në mënyra të ndryshme, për të shpëtuar jetën nga virusi, iu drejtuan Turqisë. Sipas të dhënave, nga fillimi i pandemisë. Nga aeroporti i Rinasit kanë fluturuar 565 chartera ambulancë drejt Turqisë dhe më pak drejt Italisë.

Por sa i kujton një pacienti kurimi për Covid në Turqi?

Sipas BIRN çmimi mesatar për një fluturim me charter kushton 12 mijë euro, ndërsa një natë qëndrimi në spitalet e Turqisë kushton mesatarisht 1200 euro. Pacientët e COVID-19 shpenzojnë minimalisht 15 ditë qëndrimi në spital.

“Në total shpenzova 45 mijë euro, vetëm charter-i 15 mijë euro dhe 30 mijë euro qëndrimi në spital për 20 ditë”, tregoi Bilal A. Ai shtoi se në shpenzime nuk përfshihej kthimi pas me avion normal pasagjerësh me të vëllanë dhe shpenzimet e tjera të vogla.

Mjeku Erion Dasho tha për BIRN se kapacitetet njerëzore ishin ndryshimi i vetëm mes mjekimit në vend dhe atij jashtë.

“Një i afërm i imi udhëtoi në Turqi dhe pagoi 1200 euro ditën e qëndrimit. Nga ana mjekësore asgjë nuk ndryshonte që t’ia vlente pagesa. I vetmi ndryshim është që ke një infermier që kujdeset për një pacient dhe shërbimi i hotelerisë”, tha ai.

Margarit Dado, drejtues ekzekutiv i Albanian Intercare Services – një kompani e specializuar në transportin e urgjencave mjekësore, tha se transporti ka një sërë specifikash dhe pavarësisht kërkesave, mjaft raste refuzoheshin.

“Ka katër kërkesa që të kryhet transporti. Duhet një pasaportë e vlefshme për 6 muaj në Turqi, një raport i gjendjes jetike të pacientit, përfshi saturimin e gjakut, tensionin apo problemet e tjera, pagesa si dhe një letër pritëse nga spitali, sepse nuk të pranon avioni nëse nuk e ke.. Rrezikon të mbetet pacienti në barkun e avionit,” tha Dado.

Nga fillimi i pandemisë kurimi në Turqi dhe Itali u ka kushtuar pacientëve shqiptarë mbi 6.7 milionë euro për udhëtime dhe 12 milionë euro të tjera për kurimin në spitalet private./ Referuar BIRN