Aktualitet

Sekuestrohet hotel “Vollga” në Durrës

Sekuestrohet hotel “Vollga” në Durrës

Hotel "Vollga" në Durrës është vënë në sekuestro.

Sekuestrimi është bërë nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila lajmëroi një konferencë shtypi.

Kujtojmë se kjo godinë mbart histori, pasi ka qenë vend-komanda e Flotës Italiane. Në periudhën e privatizimeve, ky hotel i kaloi një pronari që pretendonte pronësinë e saj. Ndërsa në vitin 2011, ky hotel i kaloi Emiljano Shullazit.

Historia e privatizimit të hotel “Vollgës”:

Nga hetimet e vitit 2016 në kuadër të ligjit “Antimafia”, prokuroria për Krimet e Rënda zbuloi se Emiljano Shullazi ishte bërë pronar i vetëm i ish-hotel “Vollgës” përmes dy akt-dhurimeve në vitin 2014.

Në vitin 2013 me vendimit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-hotel “Vollga” iu njoh trashëgimtares së ligjshme, Alie Fortuzi.

Kjo trashëgimtare e mbetur e Fortuzëve që komunizmi i kishte shpronësuar si bashkëpunëtorë të pushtuesve ishte në moshë dhe në gjendje të keqe fizike.

Ndaj ajo vendosi t’ia dhurojë pronën e fituar njeriut që ishte kujdesur për shëndetin e saj, shtetasit Zamir Hasa.

Me regjistrimin në Hipotekë të pronës në emër të Alie Fortuzi, rezulton se ajo i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer.

Gjykata e Lartë në 10 korrik 2013 me vendim të ndërmjetëm kishte urdhëruar pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab në kartelën e pasurisë, gjykata e Durrësit, në një tjetër proces, i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit arab Mohamad Bavazer.

Me këtë vendim njohjeje pronësie, ky i fundit e regjistron pasurinë e paluajtshme të ish-“Vollga” në emër të kompanisë “Suadi Brother’s Commercial Company”, në të cilën ishte vetë ai administrator.

Pasi u bë pronar i ligjshëm, “Suadi Brother’s Commercial Company”, në nëntor 2014, ia shiti një pjesë të pasurisë për shumën 670 mijë eurove dy personave që dyshohen se bënë thjesht dhuruesin fiktiv të emrit: Fejzi dhe Marjeta Kodra.

Mbi bashkëshortët Kodra ka dyshime për mundësitë e tyre financiare për shpenzimin e një shume të tillë. Këtë akt e bënë më të dyshimtë edhe një fakt tjetër: ata vendosin që një muaj pas blerjes ta dhurojnë pronën e tyre.

Familjarët Kodra, ashtu si edhe “Suadi Brother’s Commercial Company” me përfaqësues Ylvi Beqja, në dhjetor 2014, nënshkruajnë kontratën e dhurimit, në bazë të të cilës të gjithë të drejtat pronësore të tyre, ia japin pa asnjë shpërblim Emiljano Shullazit.