Aktualitet

Shërbimet online rikthehen në normalitet në e-Albania

Shërbimet online rikthehen në normalitet në e-Albania

Shërbimet publike online në e-Albania janë rikthyer në normalitet, pas tre javësh nga sulmi kibernetik. AKSHI njofton se aktualisht, 1214 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga bizneset dhe qytetarët njësoj si më parë.

Njoftimi i AKSHI-t:

Pas thuajse 3 javësh nga agresioni kibernetik, shërbimet online për qytetarët dhe bizneset janë normalisht të aksesueshme.

Aktualisht, 1214 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë.

Janë në funksion të plotë edhe shërbimet e:

- aplikimit të formularit për lëshim për herë të parë ose rinovim të pasaportës

- deklarimit të humbjes së dokumenteve të ndryshme

-ndihmës ekonomike për individët dhe vërtetimit mbi masën e përfitimit të ndihmës ekonomike

- kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social

- lista e notave dhe vërtetimi i diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës.

Ndërkohë, stafi i inxhinierëve po punon për të kthyer në normalitet dhe shërbimet e fundit të mbetura siç janë: njehsimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja; vërtetimi i pagesës së aftësisë së kufizuar si dhe kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike.

Nga dita e hënë do të mund të aplikohet edhe për Leje Ndërtimi (e-Lejet), vlerësimi të ndikimit në mjedis dhe përdorimit të burimeve ujore.

Sistemet elektronike të rikthyera se fundmi në funksionalitet të plotë janë:

- Sistemi i Qëndres së Botimeve Zyrtare;

- e-Inspektimi;

- Sistemi i menaxhimit tëinformacionit për burimet njerëzore të administratës;

- Sistemi elektronik i ndihmës ekonomike.

Gjithashtu, është funksionale posta elektronike zyrtare për të gjithë punonjësit e administratës. Janë forcuar mekanizmat e sigurisë së email-it zyrtar si dhe është bërë kalimi i çdo mailbox-i në infrastrukturën cloud.

AKSHI shpreh mirënjohje për të gjithë punonjësit e ekipit që ia dolën të rikuperojnë në një kohë rekord shërbimet publike online, si dhe skuadrën speciale të Microsoft për ndihmën gjatë gjithë këtyre ditëve.