Aktualitet

Shiu ndihmon me zjarret, nga 20 vatra aktive mbetet vetëm 1 në Durrës

Shiu ndihmon me zjarret, nga 20 vatra aktive mbetet vetëm 1 në

Ulja e temperaturave dhe reshjet e shiut kanë ndihmuar në shuarjen e vatrave të zjarrit. Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra aktive nga të cilat19 janë fikur .

Sipas njoftimit të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile vatrat që janë shuar janë: në fshatin Mal Bardhë dhe Skuraj, Bashkia Kurbin; në vendin e quajtur “Pashallare”, në fshatin Tunjë, Bashkia Gramsh; tek ish-fabrika e tullave, midis lagjes “Nr.7” dhe lagjes “Nr.9”, të Bashkisë Durrës; në lagjen “Shën Vasil” Bashkia Himarë; në lagjen “Vanë”, Bashkia Delvinë; në vendin e quajtur “Gjimoçik”, fshati Vajzë, Bashkia Selenicë; në lagjen “Babicë”, bashkia Vlorë; në vendin i quajtur “Pigave Mesovun”, bashkia Delvinë; në fshatin Miliska, bashkia Fushë-Arrëz; në fshatin Reç, bashkia Malësi e Madhe; në fshatin Arst, bashkia Fushë-Arrëz; në njësinë administrative Rrethinat, bashkia Shkodër; në fshatrat Plezhë dhe Shkjezë, bashkia Vau-Dejës; në vendin e quajtur “Rrashkullaj”, bashkia Malësi e Madhe; në fshatin Otllak, bashkia Berat; në fshatin Arrëz, bashkia Dimal; në fshatin Kozare, Kuçovë; në fshatin Momël, bashkia Kavajë; në fshatin Floq, bashkia Fier.

Në njoftim bëhet e ditur se, në operacion për shuarjen e vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 192 forca Operacionale, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare dhe janë angazhuar 25 mjete zjarrfikëse. Gjithashtu gjatë ditës së djeshme është angazhuar në vendin e quajtur “Pigave Mesovun” edhe helikopteri i FA.

Aktualisht aktive është vetëm vatra në fshatin Shetaj, Bashkia Durrës, edhe kjo me intensitet të ulët. Vijon angazhimi i forcave të shërbimit zjarrfikës për izolimin e saj.

“Ju bëjmë thirrje qytetarëve të denoncojnë pranë strukturave të policisë së shtetit çdo rast të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme si dhe të tregojnë kujdes në përdorimin e mjeteve ndezëse dhe çdo aktivitet tjetër në lidhje me zjarret. Kujtojmë se zjarr vënia e qëllimshme dënohet sipas ligjit”, apelon Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile.

Të gjitha forcat dhe kapacitetet e sistemit të Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për përgjigjen ndaj situatave të shkaktuara nga zjarri apo dhe çdo emergjence tjetër.