Aktualitet

U shkarkua nga Vettingu, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut rihap çështjen për prokurorin Besnik Cani

U shkarkua nga Vettingu, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut

Prokurori Besnik Cani, ish anëtar i KLP, u shkarkua nga vettingu marsin e vitit 2020 nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, por çështja do të rihapet. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur sot që për të të rihapen procedurat, duke pranuan ankimin e Canit për vendimin e KPA pasi pjesë e trupës gjykuese ishte Luan Daci, i cili më vonë u dënua se kishte falsifikuar dokumentet për t’u bërë pjesë e vettingut.

GJEDNJ ka vendosur për shkak se Daci është zgjedhur padrejtësisht në KPA atëherë vendimi është i padrejtë, kështu që çështja duhet të rikthehet për gjykim. Gjykata thotë se në këtë vendim është shkelur neni 6, paragrafi 1, i Konventës së të Drejtave të Njeriut, e cila detyron për një proces gjyqësor të drejtë brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj.

“Rrjedhimisht, duke pasur parasysh rrethanat e çështjes në fjalë dhe në masën që mund të jetë e mundur sipas ligjit të brendshëm, forma më e përshtatshme e dëmshpërblimit për shkeljen e së drejtës së ankuesit për një “gjykatë të krijuar me ligj” sipas nenit 6, 1 të Konventës do të ishte rihapja e procedurave, nëse aplikanti kërkon një rihapje të tillë, dhe rishqyrtimi i çështjes në një mënyrë që është në përputhje me të gjitha kërkesat e nenit 6, 1 të Konventës. Së fundi, kërkuesi kërkoi që Gjykata të anulonte vendimin e KPA -së të datës 27 shkurt 2020 dhe të urdhëronte Qeverinë ta rivendoste atë menjëherë në zyrën e tij të mëparshme. Në funksion të juridiksionit të saj dhe natyrës së shkeljes që u konstatua në lidhje me procedurat e verifikimit të kërkuesit, Gjykata e refuzon këtë kërkesë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.