Shkëlzen Berisha pas dy orësh në SPAK: Fola për çështjen Gërdeci. Po si mund të kem dijeni pas 15 vitesh?
Pas marrjes në pyetje përreth dy orë në SPAK, Shkëlzen Berisha ka folur për mediat duke thënë se ishte thirrur për çështjen Gërdeci.
Shkëlzen Berisha thotë se çështja është e njëjta si para 15 vitesh, s`ka dijeni dhe se komunikimi me Mediun ditën e shpërthimit ka qenë komunikim familjar.
Kurse për faksin e publikuar në media u shpreh se është i falsifikuar, pasi nuk është kaligrafia e tij.
“Më bën përshtypje fakti që e njëjta cështje para 15 vitesh nuk e kanë parë të arsyeshme thirrjen time, sot mendojnë se unë mund të kem dijeni pas 15 vitesh. Prokuroria duhet të hetojë kush e ka bërë atë shënim. Nuk kam asnjë lidhje me këtë çështje. Mendoj që prokuroria duhet të thotë e kujt është kaligrafia nëse nuk është falsifikim sepse në origjinalin e faksit nuk ekziston.
Me Fatmir Mediun kam pasur komunikim të natyrës familjare. Jam pyetur edhe për këto dhe kam bërë të qartë që nuk kam asnjë lidhje sepse të komunikosh me dikë nuk do të thotë të jesh ortak me të. Çështja sipas mendimit tim është politizuar”, tha Shkëlzen Berisha.
Pyetjes së gazetarëve nëse ka frikë, iu përgjigj: Aspak.
Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes në kohën e shpërthimit të Gërdecit, në fabrikën ku demontoheshin armë, është pyetur më herët nga SPAK gjithashtu për këtë çështje.
Tabulatet zbuluan se Mediu dhe Shkëlzen Berisha kanë komunikuar në mënyrë të shpeshtë me telefonata ditën e tragjedisë.