275 mijë familje dhe individë që përfitojnë nga skemat e programit social do të përfitojnë 150 mijë lekë shpërblim për festat e fundvitit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sot se nga shpërblimi përfitojnë familjet në nevojë që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, fëmijët pa kujdes prindëror, invalidë që kanë statusin e para apo tetraplegjikut, të verbrit dhe ndihmësit e kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara.
Ajo theksoi se është një fond i akorduar nga buxheti i shtetit afro 2.1 miliardë lekë që shkojë për të gjitha familjet dhe individët në nevojë.
“Me vendimin më të fundit u akordohet një shpërblim për festat e fundvitit për 275 mijë familje dhe individë që përfitojnë nga skemat e programit social. Janë 15 mijë lekë ose 150 euro që i akordohen familjeve në nevojë që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike, fëmijët pa kujdes prindëror, invalidë që kanë statusin e para apo tetraplegjikut, të verbrit, për herë të parë këtë vit edhe ndihmësit dhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, janë 18 mijë që gjithashtu do të marrin shpërblimin. Është një fond 2.1 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Nga programet e mbështetjes sociale përveç mbështetjes financiare jemi duke rishikuar edhe mënyrën e vlerësimit dhe akordimit të përfitimeve nga skema e mbrojtjes sociale. Sot u mor edhe një vendim tjetër i rëndësishëm që ka të bëjë me forcimin e individëve që janë forcë aktive pune dhe që janë aktualisht janë përfitues të skemës së ndihmës ekonomike. Kjo nënkuptin që anëtarët madhorë që janë forcë aktive pune do të referohen tek Agjencia e Formimit Profesional, jo vetëm integrim për të gjetur një punë, por gjithashtu për t’i aftësuar ata me aftësi individuale me qëllim që të mund të sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre. E rëndësishme për ne është që çdo familje me ndihmë ekonomike të marri ndihmë ekonomike, por nuk është kjo zgjidhja. Ne duhet të aftësojmë individët e familjes me qëllim që të kenë mundësi të mbajnë vetë familjet e tyre”, tha Albana Koçiu.