Aktualitet

‘Shpërndan broshura nga Dëshmitarët e Jehovait’, psikologia: Nuk predikoj në shkollë, Anisën s’e njoh

‘Shpërndan broshura nga Dëshmitarët e Jehovait’,
Sqarim: Fotoja është ilustruese.

Një qytetar ka treguar se Anisa Josifi bashkë me një psikologe të një shkolle në Kombinat i kishin shkuar në shtëpi për tu shpërndarë disa fletushka nga revista Kulla e Rojes (Dëshmitarët e Jehovait). Për News 24 në Zemër të Hapur ai tha se psikologia iu fliste fëmijëve për Dëshmitarët e Jehovait edhe në shkollë.

Por vetë psikologia e shkollës ka mohuar gjithçka.

Rasti bën fjalë për ngjarjen në familjen Josifi nga Përmeti të zhvendosur me banim në Tiranë.  Nëna Zhaneta me vajzën Anisa u gjendën të pajeta në shtëpinë e tyre, ndërsa vajza tjetër Blerta u gjet në gjendje të rënduar teksa kryente disa rite për të ringjallur motrën e cila kishte më shumë se një vit që mbahej e pajetë në shtëpi. Të afërmit dhe fqinjët thonë se ato ishin pjesë e Dëshmitarëve të Jehovait, por Organizata e mohon.

Lidhur me pretendimet e qytetarit, psikologia mohoi duke thënë:   

Nuk e njoh Anisën, vec nga lajmet e portalet kam mësuar për të. Më vjen keq që i jepni zë këtyre gjërave. E pyetur nëse beson tek Dëshmitarët e Jehovait ajo tha se ka të drejtë të besojë dhe këtë ia garanton Kushtetuta.

Intervista e plotë  në lidhje telefonike si më poshtë:

Evis Ahmeti: Ju besoni te Dëshmitarët e Jehovait?

Psikologia: Unë kam të drejtë të besoj dhe këtë ma garanton Kushtetuta. Besoj sic kanë të drejtë besimtarët e tjerë.

Evis Ahmeti: Ju si psikologe keni ndikuar tek nxënësit e shkollës, i jepni libra, fletushka?

Psikologia: Nuk besoj që e kanë thënë prindërit e shkollës sime një gjë të tillë. Shkolla është laike dhe unë e vlerësoj dhe e zbatoj këtë ligj. Nëse një prind e thotë ketë le të sjellë prova dhe unë jam gati të përballem.

Evis Ahmeti: Muri i shkollës është ngjitur me një banesë që thuhet se është një nga ndërtesat ku mblidhen Dëshmitarët e Jehovait?

Psikologia: Cfarë do të thotë kjo, është marrë me qira…jo nuk është e vërtetë. Janë familje dhe shumë të rregullta ato që jetojnë aty.

Pastori: Zonjë jam i gëzuar që ti ke guximin të vije në këtë bisedë. Kisha merak se do trembeshit nga forumi publik. Unë do të të ftoja si besimtare e Dëshmitarëve të jesh më e guximshme, të vish e të mbrosh kuptimin tuaj. Të na ndihmosh që ju nuk e predikoni vetëvrasjen…

Psikologia: Absolutisht, jo

Pastori: Dëshmitari para teje më tha se është takuar me ty në shtëpinë e tij, ishe duke dhënë materiale tek shtëpia e tij, ishit atje me dy burra, njëri prej tyre i huaj… a është kjo praktikë që e ke bërë?

Psikologia: Nuk e kujtoj rastin…por patjetër që unë e bëj këtë praktikë, por nuk e njoh Anisën.

Evis Ahmeti: Ku i praktikoni këto?

Psikologia: Po i devijoni thelbin e bisedës. Nuk mund të bëj aludime nëse kam qënë apo jo…

Evis Ahmeti: A ju ka ndodhur ndonjë përplasje në shkollë kur të ka parë zotëria në shtëpinë e tij me fletushka?

Psikologia: Jo, jo absolutisht

Evis Ahmeti: Si e vlerëson ngjarjen e Kombinatit?

Psikologia: Ngjarja jashtëzakonisht fatkeqe dhe e mbuluar me informacione të pavërteta. Kanë dalë në përfundime të gabuaura, ka nisur një fushatë urrejtje dhe persekutimi. Depresioni është një nga shkaktarët kryesor, personat mund të kenë pasur deluzione.

Dëshmitarja: Psikologia ka qënë dëshmitare e Jehovait prej shumë vitesh, e di. Ndërsa familjen Josifi nuk e njoh.