Aktualitet

Shqipëria anëtarësohet në IUCN për Mbrojtjen e Natyrës

Shqipëria anëtarësohet në IUCN për Mbrojtjen e

IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës), rrjeti më i madh mjedisor në botë, i jep mirëseardhjen Shqipërisë si vendi i 87-të i tij, pas miratimit zyrtar të statuteve të kësaj organizate.

“Teksa Shqipëria i bashkohet IUCN-së, së bashku me biodiversitetin e pasur ne sjellim edhe një angazhim të vendosur për mbrojtjen e mjedisit dhe ky anëtarësim na ofron një platformë të vlefshme për të bashkëpunuar dhe mësuar nga praktikat më të mira globale, duke fuqizuar përpjekjet dhe politikat tona të ruajtjes”, theksoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Shqipëria ka krijuar një model për zonat e mbrojtura nëpërmjet shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, i cili mbron një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Gjithashtu, Shqipëria ka krijuar parqe të reja si “Parku Kombëtar i Alpeve” në veri të vendit. Këto zona të mbrojtura janë asete kyç për ekoturizmin tonë duke mishëruar në mënyrë të përsosur sloganin "Albania All Senses". Me mbi 21.4% të territorit nën mbrojtje dhe me nisma të tjera, partneriteti ynë me IUCN do të forcojë aftësitë tona, do të bashkojë njohuritë tradicionale me shkencën moderne dhe do të kontribuojë ndjeshëm në objektivat mjedisore lokale dhe globale. Ne jemi optimistë për përfitimet e ndërsjellta që do të nixsë ky bashkëpunim duke fuqizuar praktikat tona të konservimit të biodiversitetit dhe duke avancuar në zhvillimin e qëndrueshëm”, përfundon Kumbaro.

Politika mjedisore e vendit zbatohet nëpërmjet mekanizmave të tillë si Strategjia Kombëtare e Biodiversitetit dhe Plani i Veprimit, si dhe rrjeti në rritje i zonave të mbrojtura. Duke plotësuar këtë qasje gjithëpërfshirëse për ruajtjen e biodiversitetit, Shqipëria është e angazhuar të reduktojë 20.9% të emetimeve të dioksidit të karbonit CO2 deri në vitin 2030. Kjo përfshin, ndër masat e tjera, menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe restaurimin e peizazhit pyjor.

“Jemi të lumtur të festojmë anëtarësimin e Shqipërisë në IUCN. Ne presim të forcojmë bashkëpunimin tonë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe të ndihmojmë vendin të arrijë objektivat e tij ambicioze kombëtare, duke kontribuar në objektivat globale të konservimit,” tha Oliver Avramoski, Drejtor i Zyrës Rajonale të IUCN për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (ECARO). “Disa nga fushat tona të shumta të bashkëpunimit përfshijnë zhvillimin e politikave, ndërtimin e kapaciteteve dhe sigurimin e cilësisë së efektivitetit të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura dhe të Konservuara, duke përfshirë certifikimin e Listës së Gjelbër të IUCN”.

Gjatë dy dekadave të fundit, IUCN ka punuar ngushtë me qeverinë dhe shoqërinë civile në Shqipëri, duke ndihmuar në forcimin e kuadrit institucional për ruajtjen e natyrës, përmirësimin e sistemit kombëtar të zonave të mbrojtura dhe rritjen e nivelit të angazhimit të komunitetit.

Ndërhyrjet kryesore të bazuara në zonat e mbrojtura përfshijnë mbështetjen për pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit si një vend i Trashëgimisë Botërore, planifikimin e menaxhimit dhe angazhimin e komunitetit në Parkun Kombëtar të Shebenikut dhe përgjatë lumit Buna, si dhe rolin e IUCN në përcaktimin e lumit Vjosa si parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë.
Për më tepër, nisma të tilla si Iniciativa e Pyjeve Veriore dhe projekti ADAPT demonstrojnë potencialin për bashkëpunim në adresimin e sfidave mjedisore dhe promovimin e zgjidhjeve të bazuara në përputhje me natyrën