Aktualitet

Shqipëria jashtë liste, Manastirliu: BE merr vendimin final nesër. A do rikthehet karantina?

Shqipëria jashtë liste, Manastirliu: BE merr vendimin final

Drafti aktual i BE për vendet e sigurta me të cilat do të hapen kufijtë, u publikua ditën e djeshme nga Le Monde, ku Shqipëria nuk ishte futur në listë, por ministrja Ogerta Manastirliu thotë se vendimi final do të merret nesër dhe se vlerësimet do të jenë periodike, dy javore.

 “Do të ketë një vlerësim të vendeve të BE nesër. Ata do të marrin në vlerësim gjithë vendet, bazuar në kriterin epidemiologjik, në numrat e rasteve të reja për 100 mijë banorë për 14 ditëshin e fundit. Dua ta theksoj se këto janë vlerësime periodike. Ne kemi bërë takime me ambasadorët e këtyre vendeve, janë shpjeguar të gjitha situatat. Pavarësisht vendimit që do merret, kjo është një situatë dinamike. Vlerësohen 14 ditët e para, pastaj vlerësohen 14 ditët e tjera”.

Shqipëria e ka hequr karantinimin për personat që vijnë në Shqipëri apo që kthehen nga vendet e BE, por kjo masë edhe mund të rikthehet.

 “Ne e kemi hequr karantinën 14 ditore, por kemi vendosur një klauzolë me Komitetin, që në rast se ne e vlerësojmë të detyrueshme karantinën mjekësore ajo do vendoset”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë.

Por një gjë ministrja e tha me siguri: Shqipëria nuk do të ktheht prapa, me rikthimin e masave të bllokimit.

“Shqipëria nuk do kthehet mbrapa, por diçka i kërkojmë publikut. Të zbatojë masat. Çelësi për të vijuar në normalitetin e ri janë masat që duhet të zbatojmë. Të mbahen maskat nëse nuk zbatohet distancimi. Distancimi social që duhet të jetë element i futur në kulturën e përditshme, larja e duarve, kollitja... Këto janë masa të thjeshta. Nëse i zbatojmë s’do kemi përhapje të koronavirusit”.

Intervista e Ogerta Manastirliut në Open.