Aktualitet

Shteti ku shqiptarët bënë më shumë kërkesa për azil, sipas Eurostat

Shteti ku shqiptarët bënë më shumë kërkesa

Kërkesat e shqiptarëve për azil pësuan rënie në tremujorin e dytë të këtij viti me 70%, por për disa vende europiane mbeten të larta. Këtë kanë treguar të dhënat më të fundit të Agjensisë Europiane të Statistikave 'Eurostat ku rezulton se numri më i lartë i kërkesave për azil nga shqiptarët për tremujorine dytë të 2020 shënohet në Britaninë e Madhe me 440 persona.

Sipas të dhënave në periudhën nga prilli deri në qershor të vitit 2020, rreth 840 shtetas shqiptarë kërkuan azil në Francë, Gjermani, Itali dhe në Britaninë e Madhe.

Në Francë kërkesat për azil të shqiptarëve janë 205 dhe zënë 44% të kërkesave në total për azil, ndërsa në Gjermani janë 140 dhe zënë 30 % të kërkesave.

Në Itali janë 55 dhe zënë 12%.

Aplikimet në pritje të mbrojtjes ndërkombëtare janë në shqyrtim në këto vende.

Sipas Eurostat rreth 842 000 kërkesa për azil janë ende në pritje në shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Ndërkohë bazuar në të dhënat e Eurostat nga janari i vitit 2019 deri në gusht të 2020-s sipas revistës “Monitor" kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian dhe të tjera rreth 30.5 mijë shqiptarë.

Pjesa më e madhe e tyre janë të rinj. Sipas të dhënave të Eurostat 23.8 mijë persona, ose 78% e totalit të aplikimeve për këtë periudhë janë persona deri në 34 vjeç.