Aktualitet

Shuhen të gjitha vatrat e zjarrit nga shiu, Ministria e Mbrojtjes jep detajet

Shuhen të gjitha vatrat e zjarrit nga shiu, Ministria e Mbrojtjes jep

Reshjet e shiut që pushtuan vendin në orët të mëngjesit të sotëm arritën që të shuanin vatrat e zjarrit që kishin nisur prej disa ditësh në zona të ndryshme, nga Veriu në Jug.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se të gjitha vatrat e zjarreve të regjistruara ditët e fundit tashmë janë shuar, sidomos vatrat më problematike që kanë qenë në qarqet Lezhë, Fier, Elbasan, Vlorë.

Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile njofton se zjarri i rënë në vendin e quajtur “Godull”, masivi pyjor Seman, në bashkinë Fier është shuar.

Por ende në terren janë forcat zjarrfikëse, të cilat po inspektojnë terrenin për të eliminuar çdo lloj mbetjeje zjarri që mund të shkaktojë rindezje të tij. Kryesisht verifikimet po kryhen në ato vende ku ka patur mbetje të drurëve të pishave, të rënë nën ndikimin e kushteve atmosferike në vite, të cilat mund të kenë brenda tyre element zjarri.

Gjithashtu në terren po kryhen verifikimet lidhur me shkallën e dëmit që kanë shkaktuar zjarret. Paraprakisht mendohet se janë djegur dhe shkrumbuar 140 ha shkurre dhe pjesë nën kurorë të pishave, duke mos prekur dhe dëmtuar kurorën e tyre.