Aktualitet

Si do të merren pa pagesë ilaçet kundër Covid? Manastirliu: Secili do të ketë një kod unik

Si do të merren pa pagesë ilaçet kundër Covid?

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishte sot në Qendrën Shëndetësore nr.2 në Tiranë nga ku shpjegoi se si do të funksionojë rimbursimi i barnave për të prekurit nga Covid-19.

Manastirliu tha se një i prekur nga Covid fillimisht duhet të komunikojë me mjekun e familjes, i cili i jep atij recetën bashkë me një kod unik, me të cilin pacienti paraqitet në farmaci.

Pasi sheh kodin unik, farmacia i siguron pacientëve barnat për koronavirusin të rimbursuara me të cilat mund të trajtohet në shtëpi.

“Deri tani qytetarëve që i është dashur të marrin barna me rimbursim është kryer nëpërmjetë kodit elektronik dhe vendosjes në lidhje direkte të mjekut të familjes, qytetarit dhe farmacisë. Tashmë qytetarët që janë diagnostikuar me Covid pas vlerësimit nga mjeku, shkojnë direkt në farmaci me kodin që mjeku i dërgon nëpërmjetë telefonit. Ata duhet të paraqesin edhe një kartë ID dhe kodin e dhënë nga mjeku”, tha Manastirliu.