Aktualitet

Si do të njoftohen të moshuarit mbi 80 vjeç për të bërë vaksinën?

Si do të njoftohen të moshuarit mbi 80 vjeç për të

Do të jetë mjeku i familjes që në bazë të regjistrave, do të njoftojë të gjithë të moshuarit mbi moshën 80 vjeç të cilët do të bëjnë dozën e parë të vaksinës anti-Covid. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, nga qendra e vaksinimit Air Albania tha se të moshuarit do të njoftohen sipas fashave dhe udhëzuesve të Institutit të Shëndetit publik, me kontaktin e parë nga mjeku i familjes!

Ogerta Manastirliu:

“Prioriteti ynë sipas planit të vaksinimit janë edhe të moshuarit mbi 80 vjeç me fasha të ndara sipas grupmoshës por edhe sipas sëmunshmërisë. Ndaj, ashtu sikurse kemi filluar për vaksinimin e 80 vjeçarëve të dielën, ashtu do të vijojmë për të vaksinuar sipas të gjithë atyre indikacioneve që mjeku i familjes jep. Dhe do të jetë pikërisht mjeku i familjes, i cili do të lajmërojë të gjithë të moshuarit mbi 80 vjeç, sipas fashave dhe udhëzuesve të Insitutit të Shëndetit Publik”.

Ndërkaq, lidhur me procesin e vaksinimit sipas ministrisë së Shëndetësisë sot po vaksinohen më shumë se 500 mjekë dhe infermierë të Urgjencës Kombëtare, mjekë të familjes, të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, të disa spitaleve rajonale e bashkiake.

Deri tani janë vaksinuar 5612 mjekë dhe infermierë me dozën e parë, ndërsa 655 personel shëndetësor i kanë marrë të dy dozat e vaksinës.

Gjithashtu deri më tani janë vaksinuar 461 të moshuar dhe staf që kujdeset për ta. Që nga fillimi i vaksinimit janë kryer në total 6728 vaksina antiCOVID-19, ndërsa sot pritet të kryhen rreth 1,000 vaksina në të gjithë vendin.

*Tiranapost.al