Aktualitet

Si do të zhvillohet mësimi në universitete në nëntor? Propozimi që është bërë deri tani

Si do të zhvillohet mësimi në universitete në nëntor?

Mësimi për universitetin do të fillojë në nëntor, por ende nuk ka një vendim për mënyrën se si do të zhvillohet dhe as një datë të caktuar.

Sipas Artan Hoxhës, rektorit të Universitetit të Tiranës, deri më tani është menduar një propozim që leksionet të zhvillohen online, ndërsa seminaret apo praktikat mësimore do të zhvillohen në grupe të vogla studentësh në auditore.

“Nuk ka një vendim përfundimtar sepse do të lidhet dhe me masat që do ofrohen nga Ministria e Shëndetësisë, qeveria, në varësi të ecurisë së përhapjes së virusit. Po shikojmë një kombinim të proceseve në distancë, kryesisht leksionit, por akoma nuk është e vendosur, nuk duhet marrë si definitive. Dhe përdorimin e autoreve për grupe më të vogla studentësh, siç janë seminaret, praktikat mësimore, laboratorët”, tha Hoxha për A2.

Si do të zhvillohet mësimi në universitete në nëntor?

Ai sqaroi se aktualisht ka përfunduar raundi i parë i regjistrimeve në universitete dhe fillon raundi i dytë.

“Universiteti i Tiranës ka regjistruar në total 69% të kuotave dhe ka një numër të madh aplikimesh për vendet që kanë mbetur të paplotësuara. 1604 kuota të paplotësuara nga 5055 të planifikuara për këtë vit”, u shpreh rektori.

Deri më tani në Universitetin e Tiranës nuk ka staf të prekur nga Covid-19. Dy degët më të preferuara në këtë Universitet, mbeten drejtësia dhe ekonomia.