Aktualitet

Si do zhvillohet mësimi nga shtatori?

Si do zhvillohet mësimi nga shtatori?

Ministrja e Arsimit Besa Shahini, në një konferencë për shtyp tregoi planet për vazhdimësinë e procesit mësimor në vitin e ri akademik 2020-2021.

Mësimi do të nisë në shtator, por do zhvillohet i përzierë. Një pjesë e orëve do bëhet në shkollë dhe një pjesë online. Do të vazhdojë gjithashtu mësimi përmes televizorit. Online, po përgatitet një platformë e re që do lehtësojë krijimin e klasave virtuale.

Dhënia e librave falas do të vazhdojë këtë vit duke përfshirë edhe nxënësit e klasave të gjashta dhe të shtata, kurse vitin tjetër mësimor 2021-2022 synimi është të ofrohen falas edhe librat e klasës së tetë dhe të nëntë, pra të të gjithë ciklit të arsimit të detyrueshëm.

Fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian do t`i marrin falas librat deri në klasën e 12-të për të ulur shifrat e braktisjes së shkollës.

Për sa i përket arsimit universitar, bursa e përmuajshme do t`u jepet studentëve edhe për muajt që nuk ishin në shkollë, pra gjatë kohës së izolimit.

“Edhe pse nuk kanë pasur shpenzime të shkollës, do jepet si një ndihmë për ta dhe familjet e tyre në kohë pandemie”, tha ministrja Shahini.

Gjithashtu nga viti tjetër, pra për maturën e vitit 2021 do ballafaqohen notat e provimeve dhe ato të lëndëve gjatë viteve. Nëse një nxënës merr në provim 4 nota më pak se rezultati vjetor i së njëjtës lëndë, atëherë do merren masa ndaj mësuesit që e ka mbivlerësuar nxënësin.