Aktualitet

Si ka ndikuar pandemia tek shtëpitë luksoze me qira dhe ato në shitje? Ish Blloku dhe Myslym Shyri më të prekurat

Si ka ndikuar pandemia tek shtëpitë luksoze me qira dhe ato në

Pandemia e koronavirusit me izolim, mbyllje të bizneseve dhe kufijve ka goditur ekonomitë në gjithë botën. Edhe në Shqipëri, rezulton se ato më të prekurat janë apartamentet luksoze për nga sipërfaqja dhe vendodhja, dhe dyqanet në zona të tilla. Nëse po kërkon një apartament me sipërfaqe të madhe, mund ta marrësh me qira me 30% më lirë sesa në muajt para pandemisë. Nga agjencitë imobiliare thuhet se shtëpitë e konsideruara luks kanë një kosto qiraje nga 800 euro e lart, por kjo gjithmonë në varësi të zonës.

Aktualisht uljet më të mëdha janë në zonën e Ish Bllokut dhe në rrugën Myslym Shyri. Ervin Demirxhiu, vlerësues i pasurive të paluajtshme thotë për Report:

‘Lëvizja e çmimeve ndjehet më shumë tek apartamentet e luksit apo edhe tek objektet e mëdha që kanë edhe një vlerë të madhe në shitje apo edhe në qira. Tek apartamentet e luksit rënia është e logjikshme pasi nuk kemi më të huaj, pasi ato ishin kategoria që i marrin këto objekte. Njerëzit janë të detyruar të ulin shpenzimet dhe kjo është arsyeja që kanë pasur ulje dhe nuk kanë pasur kërkesë. Në përqindje mund të varjojë nga 20 deri në 30% rënie në çmim të qirasë. Porsa i përket shitjeve, çmimet nuk kanë pësuar rënie’.

Demirxhiu thotë se edhe bizneset e mëdha janë goditur më shumë për shkak të tkurrjes së aktivitetit ndërsa në vlerësimin e tij rezulton se e kundërta po ndodh me apartamentet e thjeshta pasi kërkesa kryesisht në Tiranë vijon të jetë e njëjtë.

Si janë çmimet në kryeqytet për shtëpitë me qira?

Për shtëpitë 1 plus 1 ose 1 plus 2 vijojnë të jenë me një shumë prej 210 eurosh në zonat më periferike dhe deri në 600 euro në zonat më pranë qendrës. Për shtëpitë më të mëdha qiratë fillojnë nga 350 e më shumë.

Ndërkohë që qiratë kanë tendencë ulje për shkak të pandemisë, shtëpitë që janë në shitje vijojnë të kenë të njëjtin çmim.