Si shkuam deri këtu! Drejtuesit e shkollës turke tregojnë pse mund të ketë ndodhur mbyllja nga qeveria

Shkolla “Mehmet Akif” e Fondacionit Gulistan do të vazhdojë mësimin duke ndjekur betejën ligjore me shtetin shqiptar. Kjo është diçka që bëhet e qartë në njoftimin e drejtuesve pas lajmit rreth vendimit të qeverisë për mbylljen e saj.
“Ndodhur pëpara një vendimi të tillë, me bindjen e plotë se drejtësia do e thotë fjalën e saj, Fondacioni Gulistan do ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të mundësuar vijimësinë normale të aktivitetit arsimor,” thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat.
Në njoftim jepet edhe versioni i drejtuesve për arsyet e mbylljes së shkollës:
Në fund të vitit mësimor 2021-2022 u ndjemë të detyruar të ndryshojmë godinën pranë Rrugës së Kavajës në Tiranë te një tjetër në zonën e Mëzezit, Kashar (ish-godina e Univesitetit “Aldent”).
Për të kthyer këtë godinë në një ambient të denjë për standardet tona, vepruam sipas përcaktimeve ligjore duke njoftuar Ministrinë e Arsimit si edhe morëm leje për të kryer punime nga institucionet e qeverisjes vendore.
Gjatë kësaj periudhe, deri në fund të muajit gusht kemi patur inspektime dhe korrespondencë të rregullt me autoritetet përgjegjëse dhe nuk kemi hasur asnjë problem dhe nuk jemi informuar për diçka që nuk shkon në drejtim të vijimit të punës normalisht.
Në 14 shtator të këtij viti, pranë shkollës sonë paraqitet një grup pune i Ministrisë së Arsimit për të kryer inspektimet mbi ligjshmërinë e veprimtarisë.
Çuditërisht, sot më datë 22 shtator, nëpërmjet postës jemi njoftuar nga Ministria e Arsimit se institucioni ynë nuk i plotëson kriteret për vijimin e aktivitetit.
Në shkresë shohim se ky konstatim ishte bërë më datë 13 shtator, ndërkohë që inspektimi i fundit u bë më datë 14 shtator.