Aktualitet

Si u futën iranianët në sistemet tona online

Si u futën iranianët në sistemet tona online

Sulmi kibernetik iranian ndaj Shqipërisë, sipas dosjes së Prokurorisë, kishte si qëllim shkatërrimin e të gjithë sistemeve dhe të dhënave online, duke e kthyer Shqipërinë dekada pas, në një terr teknologjik.

Nga të gjithë gjetjet dhe indikatorët e këtij sulmi konstatohet se, agresioni kibernetik është një sulm shtetëror nga qeveria iraniane, konkretisht Ministria e Inteligjencës dhe Garda Revolucionare Islamike Iraniane.

Sipas Prokurorisë, për këtë sulm është përdorur teknologjia, “Proxy”. Nga komunikimet e shkëputura përkohësisht ka dalë qartë që pas këtij sulmi fshiheshin IP iraniane.

Për marrjen e të dhënave nga infrastruktura është përdorur një “Cyper tool” i krijuar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane për të hackuar “email”.

Po ashtu është përdorur metoda Zeroclear, e cila gjithashtu është e lidhur me Ministrinë e Inteligjencës Iraniane (MOIS) ku burimi i licencave është ndarë mes aktorëve të ndryshëm iraniane.

Prokuroria shprehet në hetimet e saj se partnerët e Shqipërisë, si Microsoft, FBI, dhe CISA kanë ofruar suport, si dhe kanë bashkëpunuar me ekipet shqiptare pas sulmit të korrikut 2022.

Prokuroria pranë kërkoi sot masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, për 5 punonjësin e IT-së në Departamentin e Administratës Publike, të cilët sipas akuzës kanë shpërdoruar detyrën, pasi duhet të kërkonin raportim nga operatori ekonomik që ishte përgjegjës për sigurinë në faqen e administrata.al dhe për antiviruset që përdoreshin për mbrojtjen e kësaj faqeje. Por Gjykata ka vendosur si masë sigurie për ta vetëm “Detyrim Paraqitje”.