Situata e fundit e përmbytjeve dhe problemeve nga dëbora në rrugë
Situata me përmbytjet dhe reshjet e dëborës në vendin tonë vijon të jetë problematike sidomos në qarqet Lezhë e Shkodër.
Ministria e Mbrojtjes në një përditësim të orëve të fundit njoftoi se në Shkodër janë ende të përmbytura tokat në Anën e Malit dhe në Dajç, ndërsa në Lezhë ka nisur një tërheqje e ujit.
Probleme raportohen edhe në disa akse rrugore kombëtare ku autoritetet apelojnë të shmangen udhëtimet në zonat me trashësi të lartë dëbore si dhe të respektohen rregullat për mjetet dhe të mos lëvizet me goma verore e pa zinxhirë.
Problematika me përmbytjet
Në qarkun e Shkodrës sipërfaqja e përmbytur është 1220 ha, ku 1200 ha janë në Njësine Administrative Ana e Malit dhe 20 ha në Njësinë Administrative Dajç.
Në qarkun e Lezhës uji ka filluar tërheqjen nga zonat e përmbytura duke e çuar sipërfaqen e përmbytur në 530 ha nga 770 ha që ishte ditën e djeshme, në ish kënetën Gjonem 200 ha, në Njësinë Administrative Balldren 180 ha dhe në Njësinë Zejmen 150 ha.
Infrastruktura rrugore
Ka prezencë dëbore në pjesën më të madhe të tyre, por firmat kontraktore po punojnë për pastrimin dhe kriposjen me qëllim vijimin normal të qarkullimit rrugor.
Vijon të mbetet i bllokuar nga orteqet e dëborës aksi Bogë-Theth ku ndërhyrja është e pamundur.
Rruga e Obotit vijon me prezence uji edhe ditën e sotme me një nivel 60 cm, por mjetet e ushtrisë po ndihmojnë në transportin e njerëzve.
Në Rrugën e Arbrit e cila ditën e djeshme ka qenë e bllokuar si pasojë e reshjeve të borës pa ndërprerje, ditën e sotme vijon qarkullimi normalisht.
Nuk kanë munguar edhe rëniet e inerteve dhe gurëve në rrugët nacionale dhe rurale për të cilat strukturat vendore dhe firmat kontraktore kanë ndërhyrë për pastrimin e tyre.
Ura të dëmtuara
Janë të dëmtuara ura në fshatin Bardhaj të Bashkisë Shkodër, ura e Gjinajve në Vig-Mnele të Bashkisë Vau i Dejës, ura që lidh fshatin Kolsh dhe lagjen Malësia në Bashkinë Lezhë dhe ura në vendin e quajtur Kodër Mulliri po në këtë bashki.