Aktualitet

S’ka marrëveshje 31 Maji!

S’ka marrëveshje 31 Maji!

Brenda afatit të 31 majit nuk u arrit asnjë marrëveshje për Reformën Zgjedhore. Pas 4 orësh mbledhje palët kanë thyer afatin e dakordësuar dhe nuk kanë rënë dakord për asnjë nga çështjet.

Këshilli Politik do të vijojë mbledhjet pas 31 majit dhe e radhës do të jetë nesër.

Bylykbashi tha se përpjekja e opozitës për të gjetur konsensus do të vazhdojë.

Oerd Bylykbashi: "Pas orësh përpjekje, pavarësisht se opozita bëri propozimet e saj, PS nuk ishte e gatshme, duke synuar që të mbajë privilegjet e saj.

Opozita nuk heq dorë nga garancitë, ne jemi të gatshëm për të vazhduar punën dhe presim që PS të tregojë gatishmërinë për të gjetur konsensus.

Procesi i depolitizimit duhet të jetë i vërtetë, jo komisionerë të PS-së të maskuar. Dhe duhet të garantohet 100% identifikimi biometrik. Jemi që nesër të gatshëm ta vazhdojmë.

Biometrikja është e lidhur me administratën, janë të lidhura çështjet. Por edhe KQZ nuk mund të jetë nën kontrollin e PS-së. Kur të arrijmë në kompromis në këto çështje, edhe të tjerat janë të arritura."

Petrit Vasili: "Kjo nuk është një çështje pazaresh politike, bëhet fjalë për themelin e votës, dhe për një seri garancish, ku identifikimi biometrik është një nga disa garancitë.

Të dominuar nga mentaliteti i zgjedhjeve moniste të 30 qershorit kërkohet që PS ta bëjë vetë numërimin e rezultatit.

Sigurisht PS mund të ketë edhe vështirësinë e madhe se duke dalë nga gjumi parizien kryeministri, se atij nuk i interesojnë zgjedhjet në Shqipër.

Propozimet nuk sigurojnë asnjë privilegj për opozitën shqiptare, por i jep fund vjedhjes dhe manipulimit të votës.

Në rast se pranuam që të ecim drejt një depolitizimi të KZAZ-ve ky hap mund të hidhej drejt identifikimit biometrik."

Rudina Hajdari: “Dua të falenderoj ambasadën Amerikane që u ngujua sot në këtë ndërtesë dhe nuk ndali deri në momentin e fundit për t ‘i dhënë zgjidhje reformës. Edhe këtë radhë partitë politike dështuan sepse interesat e tyre janë kaq të ngushta dhe nuk duan t’ja dinë për shqiptarët. Pse mendoni ju se vjen ambasada këtu vetëm se duan interesin e shqiptarëve dhe këta sot ia mbyllën derën i thanë se nuk janë gati për marrëveshje. U tërhoqën në momentin e fundit, se pse koha do t’i tregojë të gjitha. Kjo reforme zgjedhore duhet të ketë bekimin e shqiptare, por sot nuk e ka.

Këta shohin veten e tyre, kryetarët e partive, bizneset e tyre. Përfaqësuesit e ambasadës u takuan me Bylykbashin, Gjiknurin, me mua e më pas të katërt, ndërsa Petriti shkoi bëri një xhiro aty. Ata ishin të investuar që sot të kishin një zgjidhje. Edhe dje ambasada e SHBA ishte këtu bashkë me delegacionin europian. Hallin e kanë te vetja e vet. Ambasada do që kjo reformë të ketë bekimin e shqiptarëve. Ne do vazhdojmë, ndaj të dashur qytetarë duhet ndryshim i sistemit zgjedhor. Nëse nuk hapim listat këtu do ngelemi. Këta duan vetëm të ndreqin partitë e tyre. Sot pamë që nuk kanë as marrëveshje, nuk duan mbështetjen e ambasadës. Nuk dorëzohemi nga ndryshimi i sistemit.

Sot dështuan dy partitë politike, politika e vjetër shqiptare, këta dështuan. Shqiptarët janë në krah të ambasadës, në krah të ndryshimit të sistemit. Ne sot demaskuan fytyrën e këtyre njerëzve. Sa herë dështojnë këta fitojmë ne.” u shpreh Hajdari."