Aktualitet

Skema që do aplikohet nëse rëndohet situata me virusin në shkolla. Rasti kur mësimi kalon vetëm Online

Skema që do aplikohet nëse rëndohet situata me virusin në

Nga data 1 dhjetor, do të aplikohet një proces mësimor i alternuar. Sipas vendimit të ministrisë së Arsimit me në krye Evis Kushin:

‘Në klasat e para, në të pestat dhe klasat e 12-ta do të zhvillohet mësimi si tani, me prezencë në klasë, edhe pas 1 dhjetorit, datë kur nis zbatimi i planit të ri mësimor në kushtet e pandemisë. Ndërsa për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9-të dhe 10-11 mësimi do jetë i alternuar. Kjo do të thotë se për nxënësit e këtyre klasave: Në javën e parë dhe të tretë të muajit dy ditët e para mësimi do zhvillohet në shkollë, ndërsa 3 ditët e tjera do zhvillohet online. Në javën e dytë dhe të katërt të muajit, mësimi do zhvillohet me dy ditë të para të javës Online dhe 3 ditët e tjera në shkollë’.

Universitetet do të vijojnë Online edhe pas dy dhjetorit, deri në një vendim të dytë.

Por çfarë mund të ndryshojë në skenarin e ministrisë për mësimin, njoftuar ditën e sotme, nëse situata rëndohet në gjimnaze dhe në shkollat 9-vjeçare?

Për këtë ministrja Kushi tha se mund të aplikohet skenari ku vetëm klasat fillore, nga klasa e parë deri në klasën e pestë dhe maturantët të zhvillohet mësimi në klasë. Ndërsa për nxënësit e klasave të tjera mësimi do të kthehet i gjithi online.

Ministrja Kushti tha konkretisht:

Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga klasa 1 deri tek klasa e 5) dhe maturantët të zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera kalojnë online.

Në rastet më të rënduara, shtoi ministrja: Vetëm klasat 1 dhe klasat 12-të do vijojnë mësimin në mjediset fizike të shkollës, ndërsa klasat e tjera më mësim online.

Propozimin për të zhvilluar mësimin me skemë të alternuar e bëri një ditë më parë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, duke ia lënë në dorë ministrisë së Arsimit mënyrën se si do të kthehej në praktikë. Kjo për shkak të mos përhapjes së koronavirusit dhe si përgatitje për muajt e ardhshëm që për ekspertët janë kritikë për ecurinë e situatës së koronavirusit.