Aktualitet

Skenari për rritjen e të prekurve nga koronavirusi: Brenda 20 ditëve gati një tjetër spital për karantinë

Skenari për rritjen e të prekurve nga koronavirusi: Brenda 20

Pritet të përshtatet një godinë tjetër spitalore për ta kthyer në karantinë për të prekurit nga koronavirusi që nuk futen në trajtim intensiv por kanë nevojë për trajtim spitalor. 

Lajmin e bëri me dije ministrja e Shëndetit Ogerta Manastirliu, e cila tha se struktura e re nis të përshtatet brenda 20 ditëve dhe se kjo është pjesë e një skenari të katërt nëse tejkalohen skenarët e parashikuar.

Ministrja deklaroi se është bërë një vlerësim për një objekt që po shqyrtohet për ta kthyer në një strukturë spitalore bazë për ata pacientë të cilët do të kenë nevoja të trajtimit jo specialistik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se po bëhen të gjitha vlerësimet për të pasur një strukturë tjetër që do të rehabilitohet për të ofruar shërbim për pacientët e prekur me COVID-19, nëse tejkalohen skenaret e parashikuar.

“Kemi bërë sot një investigim në vendin ku mendojmë dhe besojmë të jetë ky objekt i cili do t’i nënshtrohet edhe një rehabilitimi dhe më pas edhe një plotësimi të nevojave bazë, me mobilimin spitalor dhe me aparaturat bazike që ne vlerësojmë për të pasur së afërmi dhe për të përballuar fluksin për ata pacientë që nuk do të jenë në gjendje të rëndë”, tha Manastirliu.

Ajo bëri me dije që synohet brenda 20 ditësh të fillojë përshtatja e strukturës së identifikuar, në spitalin e ri, teksa shkoi se ky spital konsiderohet skenar i katërt në rendin e skenareve të projektuara.

Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu gjatë konferencës online të qeverisë.

Spitalet:

Covid 1- Infektivi

Covid 2- Shefqet Ndroqi

Covid 3 -Ish kirurgjitë në QSUT