Sot 3 vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019

26 Nëntori i 3 viteve më parë ishte një ditë e trishtë për vendin tonë. Tërmeti i cili zgjoi nga gjumi në orën 03:54 të mëngjesit shqiptarët goditi disa qytete, por Durrësi ishte qyteti që pësoi dëmet më të shumta ndërsa në Thumanë u shënua edhe numri më i madh i viktimave.
51 të vdekur, mbi 1 mijë të plagosur dhe mijëra ndërtesa të rrënuara ishte bilanci i këtij tërmeti tragjik.
Tërmeti la pa strehë shumë banorë në disa zona të qytetit të Durrësit, Fushë-Krujës, Laçit, Lezhës e Tiranës, ndërkohë që ende sot banorët nuk janë sistemuar nëpër banesa.
Të dhënat shkencore nga Instituti i Gjeoshkencës treguan se tërmeti i datës 26 nëntor 2019 me magnitudë 6.4 ishte ndjerë 9 ballë në Hamallaj, Jube dhe Rrushkull, 8-9 ballë në Durrësi, Sukth dhe në Kuraten.
Lëkundjet e forta sizmike sollën edhe shumë panik në të gjithë vendin, jo vetëm në atë ditë por edhe për muajt më pas, duke sjellë panik për shumë qytetarë shqiptarë.
Gjithashtu tërmeti solli edhe solidarizimin e të gjitha shteteve botërore, duke e shprehur nëpërmjet ndihmave të shumta financiare, apo sjelljen e shumë prej forcave të kërkim-shpëtimit, të cilët luftuan për nxjerrjen e trupave nën gërmadha bashkë me forcat shqiptare.
Shqipëria u kthye menjëherë në qendër të raportimeve të mediave botërore. Shqiptarët, fqinjët, partnerët nisen mobilizimin e shpejtë për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë.