Aktualitet

SPAK nis hetimet për tenderin e ushqimeve të Ministrisë së Mbrojtjes

SPAK nis hetimet për tenderin e ushqimeve të Ministrisë së

SPAK ka nisur hetimet për tenderin e ushqimeve prej 1.5 milionë euro në Ministrinë e Mbrojtjes, pas kallëzimit të dërguar nga Partia Demokratike. SPAK ka bërë me dije se tre ditë më parë opozita depozitoi kallëzimin, i cili është regjistruar si çështje penale.

Sipas PD-së, tenderin e fitoi pa garë një kompani elektronike dhe ndërtimi, që nuk kishte asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore.

PD kallëzoi më 5 prill ministren Olta Xhaçkën për 6 vepra penale: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”.

Lidhur me këtë padi, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, reagoi duke u shprehur që drejtësia të zbardh sa më shpejt të vërtetën, ndërsa e cilësoi shpikje.

Po ashtu në këtë kallëzim përfshihen edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Mbrojtjes, shoqëria “EUROVIA” shpknj, me administrator Emir Shefiti dhe shoqëria XPERT SYSTEMS sh.p.k., me administrator Renald Gova.