Aktualitet

Sunak: Plani ynë për frenimin e migracionit të paligjshëm po jep rezultate

Sunak: Plani ynë për frenimin e migracionit të paligjshëm po

Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak ka deklaruar se plani i tij për të ndaluar migracionin e paligjshëm po jep rezulate.

Duke folur për mediat në Dover të Britanisë, Sunak tha se numri i migrantëve që përpiqen të kalojnë kanalin e La Manshit me varka të vogla ka rënë me 20 për qind që kur qeveria e tij propozoi projekligjin për frenimin e migracionit të paligjshëm.

“Mesazhi që dua të përcjell sot është se plani ynë ka nisur të japë rezultate. 5 muaj pasi njoftova planin, kalimet e paligjshme kanë rënë me 20 përqind krahasuar me një vit më parë”, tha Sunak.

Sunak tha gjithashtu se pas marrëveshjes me qeverinë shqiptare për të ndaluar migracionin e paligjshëm, në gjashtë muajt e fundit është bërë i mundur kthimi i 1800 migrantëve shqiptarë, ndërsa numri i atyre që përpiqen të hyjnë me anije në Britani ka rënë në mënyrë drastike.

“Në dhjetor arrita një marrëveshje me qeverinë shqiptare, sepse vitin e kaluar, thuajse një e treta e migrantëve që hynin më varka të vogla në Britani vinin nga ky shtet i sigurt në Evropë. Në gjashtë muaj ne kemi bërë të mundur kthimin e 1800 migrantëve shqiptarë. Më përpara, një në 5 kërkesa për azil vinte nga migrant shqiptar, tani raporti është 1 me 50. Dhe cilat janë rezultatet për këtë? Deri më tani, gjatë këtij viti, numri i migrantëve shqiptarë që kanë mbërritur me varka të vogla ka rënë me thuajse 90 për qind”, tha ai.

Sunak i bëri thirrje parlamentit britanik që të miratojë projekligjin e ri për ndalimin e migracionit të paligjshëm, sipas të cilit pothuajse të gjithë azilkërkuesit që arrijnë në mënyrë të jashtëligjshme në Britani me varka të vogla nga ngushtica e La Manshit do të ndalohen pa kusht përpara se të kthehen mbrapsht në vendin e tyre.

Kritikët, përfshirë dhe Agjencinë e Kombëve të Bashkuara për Refugjatët, e kanë cilësuar paketën ligjore të qeverisë britanike të pazbatueshme, ndërsa ka patur gjithashtu akuza se është në shkelje të ligjit ndërkombëtar.