Aktualitet

Të dënuar për vrasje e trafikim, kush janë 4 personat që u kërkohet të deklarojnë pasurinë

Të dënuar për vrasje e trafikim, kush janë 4 personat

Në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, në vijim të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 subjekteve.

Sipas OFL bëhet fjalë për shtetasit Nderim Markola, Durim Dervishi, Kliton Nanushi si dhe Ergys Mëcukun të cilëve iu kërkohet që brenda 48 orëve të deklarojnë pasurinë.

Mësohet se Nderim Markola rezulton i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”,  Durim Dervishi, i dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, Kliton Nanushi është i dënuar për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur” si dhe Ergys Mëcukun rezulton i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi i plotë:

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
N. M., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;
D. D., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”;
K. N., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”;
E. M., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.