Të diplomuarit në disa fusha të tjera mund të ushtrojnë profesionin e mësuesit

Të diplomuarit në një degë të ngjashme me mësuesinë, si, ekonomi, arte, gjuhësi, përkthim, filozofi, së shpejti do të kenë mundësi që të ushtrojnë profesionin e mësuesit pasi të kenë kryer formimin e nevojshëm psiko-pedagogjik. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit Evis Kushi.
“Prej vitesh në sistemin arsimor parauniversitar, disa lëndë si: Ekonomi, Informatikë, Arte, Filozofi, Teknologji, jepeshin nga mësues të profileve të tjera ose nga profesionistë të këtyre fushave që nuk ishin diplomuar në fushën e mësuesisë, e të cilëve u mungonte formimi i nevojshëm pedagogjik e metodik. Ftoj të gjitha universitetet që, bazuar në këtë udhëzim, të paraqesin sa më shpejt aplikimet për miratimin e programeve të nevojshme, për t’u dhënë mundësi të interesuarve që të regjistrohen që në vitin e ri akademik 2023-2024”, u shpreh Kushi.