Aktualitet

Të gjitha detajet si do të bëhet falja e Bajramit nesër

Të gjitha detajet si do të bëhet falja e Bajramit nesër

Ndryshe nga çdo vit, falja e Fiter Bajramit nesër nuk do të bëhet në shesh, por në të gjitha xhamitë e vendit.

Siç njofton KMSH, ceremonia qendrore do të mbahet në xhaminë e Pazarit të Ri në Tiranë, e cila njihet ndryshe si xhamia e “Kokonozit”, në të cilën do të marrë pjesë edhe kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu.

Ky i fundit do të mbajë edhe hutben, ndërsa një fjalë përshëndetëse do të mbajë edhe myftiu i Tiranës, Lauren Luli.

Ceremonia do të fillojë në orën 05:30 të mëngjesit me lexim Kurani dhe lutjesh, ndërsa falja do të bëhet në orën 06:00 dhe besimtarët do të udhëhiqen nga kreu i KMSH, Haxhi Bujar Spahiu.

Sot është dita e fundit e Ramazanit dhe nesër besimtarët myslimanë në Shqipëri do të festojnë Fiter Bajramin, ditën e festës pas një agjërimi 30 ditor.

Fjala e plotë

Të gjitha detajet si do të bëhet falja e Bajramit nesër

Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin Muhamed (a.s), familjen, shokët dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra, sot ndahemi nga një mik shumë i vyer dhe i shtrenjtë, ndahemi nga muaji i Bekuar i Ramazanit, muaji i Kuranit, lutjeve, mirësive, bujarisë dhe dashurisë hyjnore.

Muaji që lamë pas na ka rizgjuar ndjenja dhe virtyte të larta duke na ndriçuar ndërgjegjen dhe lartësuar shpirtin.

Nesër është Fitër Bajrami dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen, gëzuar e për shumë vjet. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë bajrami në familjet tuaja! Fitër Bajrami është kurorëzimi i muajit të Ramazanit, është ftesa e shpalosjes së vlerave të fituara në këtë muaj, është shpërblimi i sakrificës, është afrimi më shumë me Zotin. Bajrami është ditë shprese, gëzimi dhe solidarizimi, është dita e manifestimit të vlerave dhe virtyteve që Ramazani i ka rizgjuar tek njeriu, është dita e falënderimeve dhe dita e dashurisë.

Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanet e tjera, u privuam nga namazet e përbashkëta, iftaret dhe festimet me të dashurit. Por falë Zotit ky Bajram vjen në një situatë më të përmirësuar.

Me këtë rast dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë punonjësit e shëndetësisë, që punuan me përkushtim për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve të prekur nga pandemia. Në një hadith kudsi Allahu u drejtohet besimtarëve: “Për Mua agjëruat në muajin e Ramazanit dhe sipas urdhërit tim falët namazin e bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar nga gjynahet e të falur”.

Allahu ua pranoftë agjërimin, adhurimet dhe lutjet që kemi bërë gjatë këtij muaji të bekuar.

Të nderuar besimtarë, bajrami është festa e bashkimit, kështu që ta festojmë të gjithë bashkë. Të kujdesemi për të afërmit, për njerëzit në nevojë, të qëndrojmë pranë tyre dhe të përpiqemi që kjo festë të festohet nga të gjithë, çdo shpirt ta përjetojë gëzimin dhe madhështinë e kësaj feste.

Gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj familjes, fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë.

Është koha që edhe njëherë të reflektojmë fort mbi vlerat e vërteta të familjes, ta mbrojmë atë nga çdo antivlerë që i kanoset asaj dhe të jemi shembull i familjes me virtytet e saj të patjetërsueshme. Familja është e ardhmja e një kombi, ajo është qeliza e shoqërisë. Sa më e shëndoshë të jetë familja aq më e ndritur do të jetë edhe e ardhmja kombit tonë.

Bajrami është festa e kënaqësisë së besimtarit e cila lind nga shpresa e përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes.

Le të shërbejë kjo festë për të larguar brengat, mëritë dhe hatërmbetjet. Të mbjellim virtytet e dashurisë, mirësisë, vëllazërisë dhe miqësisë. Të flasim me gjuhën e shpirtit, të ndërtojmë ura mirëkuptimi.

Zoti ju dhëntë mirësi e begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit!

Ti lutemi Allahut që kjo festë të jetë një sihariq për të larguar sëmundjet dhe fatkeqësitë. Gëzuar nga zemra Fitër Bajramin!