Aktualitet

Të ndërgjegjësohemi me alertin e Delta-s. Merrni fqinjët e farefisin dhe bëni vaksinën

Të ndërgjegjësohemi me alertin e Delta-s. Merrni fqinjët e

Kjo është java e hapur e vaksinimit masiv, ku të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeç mund të bëjnë vaksinën me thjesht një kartë identiteti në çdo qendër. Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu iu drejtua nga Sukthi qytetarëve duke bërë thirrje që të vaksinohen, për shkak edhe të rrezikut ndaj variantit Delta që po përhapet në Europë dhe botë. Ministrja përmendi Tiranën dhe Durrësin kur tha se nuk jemi aty ku duam.

“Sa më shumë ndërgjegjësim edhe te komshinjtë, miqtë dhe farefisi. I paraprijmë edhe varianteve të reja që shihet që qarkullojnë më shpejt mirëpo vaksina të mbron shumë. Durrësi është një nga qytetet kur duhet të fokusohemi për të rritur mbulesën vaksinale. Edhe në Tirane me numrin e lartë të banorëve nuk jemi aty ku duam të shkojmë. Synimi është të alternojmë vaksinimin përmes njësive të lëvizshme. Ka më shumë akses edhe te qytetarët që nuk kanë arritur ende të vaksinohen., Kjo javë që është e java e hapur krijon mundësinë të rrisim mbulesën vaksinale. Me alertin e Deltas është moment i mirë për ndërgjegjësim dhe për ne që të mbrojmë së pari shëndetin tonë dhe të familjarëve. Nuk është vetëm përgjegjësi e strukturave por e çdo qytetari. Vaksinim, vaksinim janë fjalët kyçe. Varianti Delta e ka rritur transmetueshmërinë”, tha ajo.

Në Shqipëri, dy dozat e vaksinës i kanë bërë 470 mijë qytetarë. Ministrja tha se përgjegjësia për vaksinimin duhet të jetë mbi çdo qytetar.

“Dhe në vendin tonë kemi një rritje të rasteve që sjell edhe rritje të hospitalizimeve. Është e rëndësishme të vijojmë me ritëm të lartë procesin e vaksinimit. Më shumë se 470 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat. Kemi vaksina për të gjithë popullatën. Mjekët e familjes janë duke bërë një punë shumë të mirë për të lajmëruar qytetarët. Fokusi ynë do të jetë në këto qytete ku mbulesa vaksinale nuk është shumë e lartë. Mos e lini për nesër vaksinimin. Pa asnjë hezitim për të vajtur derë më derë te çdo qytetar”.

*Tiranapost.al.