Aktualitet

Të premten banorët e Shijakut që u prekën nga tërmeti marrin paratë! Kush do t'i kryejë punimet e banesave

Të premten banorët e Shijakut që u prekën nga tërmeti

Banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shijak do të marrin fondet duke nisur nga dita e premte. Qeveria shqiptare miratoi sot 4 vendime shumë të rëndësishme për rindërtimin pas tërmetit tragjik, një prej të cilëve është që qytetarët e Shijakut përfitojnë nga grandi i rindërtimit 512 mln lekë.

Pas aplikimit të qytetarëve dhe vlerësimit nga ekspertët listat e përfituesve u miratuan nga Këshilli Bashkiak i Shijakut. Nga lista përfitojnë 1174 banesa individuale dhe 27 pallate, që nuk  do të shemben, pasi sipas ekspertëve mund të rikonstruktohen.

"Sot kaluam 4 vendime të rëndësishme për rindërtimin. Sot fillojmë zyrtarisht programin e grandeve për bashkinë Shijak, që janë pagesa direkte për familjet, banesat e të cilave pësuan dëmtime që nuk e çojnë në domosdoshmëri shembjen banesën apo pallatin. Punimet mund t’i bëjnë vetë apo me bashkitë dhe qeveria i subvencionon në bazë të aktit normativ. Nga e premtja në mëngjes bashkia të firmosë pagesa direkte për 1174 banesat individuale dhe 27 pallatet. Masën e grantit familjet do e përfitojnë në llogaritë e tyre. Gjithashtu në ditët në vijim presim listën nga bashkia e Kurbinit. Bashkitë e tjera të përshpejtojnë procesin e vlerësimit. 70 mln dollarë do të jepen në vazhdimësi për të gjitha bashkitë”, tha ministri Arben Ahmetaj.

Vendimi tjetër është përdorimi i fundit të rindërtimit për financimin e hartimit të projekteve për lejet e ndërtimit. Gjithashtu u miratua shpallja e zonës për rikualifikim dhe Rindërtim pas pasojave të tërmetit në Parkun Arkeologjik të Durrësit. Vendimi i tretë është miratimi i marrëveshjes së Shqipërisë me Turqinë për ndërtimin e banesave në Laç. Në ditët në vijim do të firmoset me ministrin turk, Murat Kurum.