Aktualitet

Po infektoni prindërit dhe gjyshërit! Ministrja Manastirliu mesazh të rinjve që mblidhen në festa dhe ditëlindje

Po infektoni prindërit dhe gjyshërit! Ministrja Manastirliu mesazh

Festat dhe ditëlindjet po kthehen në vatra potenciale infeksioni dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, shpreh shqetësimin se po ndikojnë në rritjen e numrit të të infektuarve.

Ministrja u ka bërë apel të rinjve që të tregohen më të kujdesshëm, të shmangin grumbullimet dhe të zbatojnë rregullat. Ndërkohë prej dy javësh muzika ndalohet pas orës 20.00 dhe klubet e natës janë të mbyllura.

“Prej pesë muajsh epidemiologët po bëjnë një punë të madhe në terren, për të gjurmuar, hetuar, testuar rastet e dyshuara, me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit. Festat apo ditëlindjet po kthehen në vatra potenciale dhe si pasojë, rastet mes të rinjve janë shtuar, duke u kthyer në vektorë të përçimit të infeksionit edhe tek prindërit dhe gjyshërit e tyre. Të ndihmojmë sistemin shëndetësor, të ruajmë shëndetin, duke shmangur grumbullimet e çdo lloji dhe duke zbatuar 3 rregulla të thjeshta. Ruaj distancën! Mbaje maskën! Kujdesu për higjienën!”, shkruan Manastirliu në Facebook.