Aktualitet

Temperatura të ulëta, ministrja Balluku këshillon qytetarët: Mos udhëtoni për arsye turizmi në 5 ditët e ardhshme

Temperatura të ulëta, ministrja Balluku këshillon qytetarët:
Për shkak të temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku këshillon të gjithë qytetarët të mos udhëtojnë drejt vendeve malore për arsye turizmi.

“Me këto temperatura fëmijët do t’ju kërkojnë të dilni nga shtëpia e të shkoni aty ku ka dëborë, por nuk është rasti për të udhëtuar në 5 ditët e ardhshme. Pasi me të vërtetë do të ketë temperatura shumë të ulëta, minus, rekord që do të shkaktojnë probleme.”

Balluku tha që për shkak të erërave të fuqishme, temperaturave shumë të ulëta dhe reshjeve të dëborës mund të ketë avari me energjinë elektrike, por që do të punohet vazhdimisht për t’i riparuar.

Ministrja bëri thirrje edhe që të mos shpërdorohet energjia elektrike.

“Ne kemi marrë masa. Operatorët OST, OSHEE edhe KESH-i janë në gatishmëri. Në kaskadë po prodhojmë me fuqi të plotë, megjithatë rritja e kërkesës që është e madhe, rreth 80% më shumë, që nënkupton presion shumë të madh dhe do të na duhet t’i drejtohemi importit. Pikërisht për shkak të konsumit të madh, nevojës për të qëndruar në të ngrohtë do tju kërkoja të jemi të kujdesshëm, të mos e shpërdorojmë energjinë, të mundohemi të kuptojmë që kjo është një situatë e jashtëzakonshme dhe ne po punojmë që gjithçka të jetë normale.”