Aktualitet

Tender 70 milion lekë për zjarrfikësen e amortizuar, burg 6 ish-zyrtarëve të Bashkisë Durrës

Tender 70 milion lekë për zjarrfikësen e amortizuar, burg 6

Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dënuar me burg 6 ish-zyrtarë të Bashkisë së Durrësit si dhe 4 punonjës të kompanive private, pasi akuzohen se kanë abuzuar me tenderin 7 milion lekë për blerjen e një mjeti zjarrfikës 2 vite më parë që nuk kreu kurrë asnjë shërbim për qytetarët dhe u la të amortizohej.

GJKKO ka dënuar Adriatik Velajn me 11 muaj burg për “shpërdorim detyre”, Muhamed Likaxhiun me 10 muaj burg për “shpërdorim detyre”, Artan Tahon me 10 muaj burg për “shpërdorim detyre”, Gjergj Markola me 10 muaj burg për “shkelje të barazisë në tendera”, Indrit Matmuja me 11 muaj burg per “shkelje e barazisë në tendera”, Riza Sulaj me 11 muaj burg për “falsifikim të vulave”, që të gjithë zyrtarë të Bashkisë Durrës.

Të tjerë të dënuar janë, Albion Bushi, Elona Rami, Lulzime Rami dhe Riza Sulaj, administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., të cilët kanë konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”.

Sipas SPAK këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë manipuluar garën. Në tenderin e periudhës maj-qershor 2020 me fond limit 7 milion lekë u përfshinë dy kompani private: R&R GRUOUP, favorizuar për të fituar tenderin me ofertën 6.700.000 dhe Klosi-R COMPANY që fitoi tenderin ka ofruar ofertën më të ulët 5.500.000 lekë.

Sipas dosjes së SPAK, Bashkia e Durrësit i serviri një “rrangallë” repartit zjarrfikës që të përballonte emergjencat. Mjetit të blerë me një shumë prej rreth 70 milion lekësh të vjetra jo vetëm që i mungonin shumë aksesorë, si tubi i ujit, kondicioneri, por as nuk ndizej, si dhe nuk kishte dokumentacionin e duhur për të qarkulluar në rrugë.

Ekspertët që ekzaminuan mjetin e braktisur në një ambient që shërben për vendgrumbullim mbetjesh gjetën një mjet të amortizuar totalisht dhe jofunksional.