Aktualitet

Edhe pse po shihet mundësia për t’u bërë në Shqipëri, mjekja Mira Rakacolli s’e sheh terapinë më plazmë, shpëtimtare

Edhe pse po shihet mundësia për t’u bërë në

Terapia me plazmë për të infektuarit me Covid po përdoret prej kohësh në shumë nga spitale në vendet europiane, ndërsa pritet që të nisë përdorimi i saj edhe në Shqipëri. Sipas zv/ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli, kjo terapi nuk është shpëtimtare por se nga ana e mjekëve do të shqyrtohet çdo mundësi dhe se janë përcaktuar kandidatët që mund të jenë dhurues.

“Terapia do të fillojë shumë shpejt në Shqipëri. Nuk është një terapi shpëtimtare. Është provuar plazma si terapi që në gripin spanjoll. Është arsyetimi i thjeshtë logjik. Jo çdo person që ka kaluar sëmundjen ka antitrupa mjaftueshëm për t’ia kaluar pacientit që ka nevojë. Ne kemi përcaktuar dhe cilët do jenë kandidatët që mund të jenë dhurues”, tha Rakacolli për “News24”.

Ajo bëri me dije se është ulur numri i të moshuarve me Covid, për shkak se janë personat që zbatojnë më mirë masat e sigurisë. Rakacolli tha se dy spitalet e tjera të dedikuara do të hapen kur të përfundojnë kapacitetet tek ekzistueset.

“COVID 3 dhe 4 janë gati, po vijon trajnimi i mjekëve. Në momentin që këto dy spitale 1 dhe 2 nuk do ta përballojnë fluksin, do të hapen këto spitale. Për të trajtuar pacientët me COVID, komiteti i ekspertëve ka parashikuar skenarë të ndryshëm. Është parashikuar që nëse do të përmbushen kapacitetet në Tiranë do të trajtohen pacientët në spitalet rajonale. Tani po maten mundësitë e këtyre spitaleve po përgatiten linjat e oksigjenit dhe njëkohësisht të kenë dhe aparatura të posaçme e respiratorë. Më e rëndësishme nuk janë aparaturat por kapacitetet njerëzore”, deklaroi Rakacolli.

Lexo më shiu: